Marsel Çela ishte duke pirë një pije në lokal, kur breshëria e plumbave me shënjestër Shyqyri Kalemin, i morën jetën.
Vëllai i 47-vjeçarit i dërrmuar nga kjo ngjarje e rëndë, kërkon kapjen e autorëve dhe vënien e drejtësisë për ekzekutimin e 47-vjeçarit.
“Vëllai im është i pafajshëm. Doli të pinte kafe. Shikonte punën e tij. Punonte në Vlorë. La pas dy prindër të moshuar e të sëmurë. Shteti të verë dore. Të gjejë një orë e më parë autorët”.
Ai tha se nëse policia nuk merr masa dhe kap në kohë autorët, do të detyrohet të bëjë vetëdrejtësi.
“Po nuk i gjeti, do na detyrojë të vemë një shirit në krah e ta zgjidhim vetë. Flasim për dy jetë të pafajshme. As kamarieri s’ka asnjë faj. Punonte për bukën e gojës”.