Një 15-vjeçar ka shkaktuar një aksident të rëndë pasditen e djeshme në Elbasan.
I mituri duke drejtuar një mjet, pa patur leje drejtimi, është përplasur me murin rrethues të një banese në lagjen "Dyli Haxhire". Si pasojë e kësaj përplasje, porta metalike e oborrit të banesës ka zënë poshtë një 4-vjeçar, djali i pronarit të shtëpisë.
Fëmija është transportuar me urgjencë në spital dhe tani ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa 15-vjeçari që shkaktoi aksidentin është vënë nën hetim.
Njoftimi i policisë:
Janë referuar materialet në Prokurori për një 15-vjeçar, pasi ditën e djeshme, në lagjen “Dyli Haxhire”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti është përplasur me murin rrethues të oborrit të banesës së shtetasit R. G. Nga zhvendosja e portës metalike të oborrit është dëmtuar fëmija 4 vjeç i shtetasit R. G., i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.