I mbani mend skenat e dhimbshme të shumë fermerëve shqiptarë të cilët detyroheshin të hidhnin përtokë prodhimet e tyre në rrugë për shkak se grumbulluesit ua blejnë me çmime qeshrake? E pra, Anila Denaj, ministrja aktuale e bujqësisë dhe zhvillimit rural në vend që të ulët e të mendojë një strategji se si ta zgjidhë këtë problem, duket se e ka mendjen diku tjetër.
Anila Denaj jep përshtypjen se është më e interesuar të gostisë lart e poshtë oligarkët e tenderave sesa të zgjidhë hallet e fermerëve dhe buqëve shqiptarë. Kështu, zonja në fjalë, nëpërmjet institucioneve të saj në varësi, ka gostitur me rreth 500 milionë lekë të tjera Yzedin Bozhaj të kompanisë “Shendelli”.
Kujtojmë se vetëm pak muaj më parë, Denaj i “fali” gati 2.5 miliardë lekë të njëjtit person nëpërmjet një tenderi ne Durrës. Ndërsa kësaj here duket se e ka radhën Fieri. Bëhet fjalë për një tender të organizuar nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Fier, në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me numër reference REF-07579-05-31-2024.
Kjo procedurë ka si objekt “Mur mbajtës në kolektorin Roskovec-Hoxhare, Fier” me një fond limit në vlerën 41,714,635 lekë të reja pa TVSH ose gati 500 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Nëse shikojmë dokumentat e tenderit, do të vëmë re se kanë marrë pjesë vetëm dy firma dhe nga këto fituese është shpallur ajo që ka dhënë shifrën më të lartë.
Bëhet fjalë pikërisht për kompaninë “Shendelli” në pronësi të Yzedin Bozhaj. Kjo firmë ka fituar me ofertën në vlerën 40,424,822 lekë të reja pa TVSH ose rreth 500 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Vlen të përmendet se oferta e firmës tjetër është mbi 100 milionë lekë të vjetra më e ulët se firma e Bozhajt. Gjithashtu shikohet se vlera fituese është sa 97% e fondit limit të tenderit.