Helmimi masiv/ “Rasim Daci dhe i biri bashkuan ujërat e zeza me ujin e pijshëm”

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 08.07.2024, 19:32

Një situatë e rëndë është denoncuar për JOQ pas helmimit masiv të mbi 20 personave në Bashkinë Bulqizë. Firma EGLAND SHPK, me administrator Rasim Daci dhe djalin e tij Egland Daci, janë vënë në qendër të akuzave të banorëve të Bulqizës për korrupsion dhe vjedhje të fondeve publike.

Sipas raportimeve për JOQ, firma EGLAND SHPK ka përvetësuar fonde shtesë prej 2.8 milionë euro pa TVSH dhe një shtesë fondi prej 800 mijë euro, për të cilat SPAK (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) nuk ka qenë në dijeni.

Bëhet fjalë për tenderin ndërtimi i rrjetit të kanazlimeve të ujërave të zeza në lagjen e vjetër të qytetit të Bulqizës për të cilin u burgos ish-kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla.

Tenderi me vlerë 2.8 milionë euro është mbyllur më 30 prill 2021 dhe në të morën pjesë 5 kompani. Katër prej tyre u skualifikuan nga gara për mosplotësim të kritereve të vendosura nga bashkia dhe fitues u shpall bashkimi i operatorëve “EGLAND dhe BE-IS”, të cilët kishin kërkuar 99.6% të vlerës së tenderit për të realizuar punimet.

Hetimi i SPAK ka përfshirë vetëm 40% të projektit, dhe të dyshuarit janë dënuar vetëm për pjesën e korrupsionit, jo për konfiskimin e pasurive të përfituara nga këto fonde, deklaron burimi për JOQ.

I njëjti burim deklaron se me fondet e përvetësuara, firma EGLAND SHPK ka ndërtuar një resortin në Zogjaj Shupenzë. Ndërkohë, punimet për projektin e ujit të pijshëm në Bashkinë Bulqizë dhe në Gjuriçë të Dibrës janë cilësuar si skandaloze, duke shkaktuar helmimin e banorëve për shkak të bashkimit të ujërave të zeza me ujërat e pijshëm.

Një banor i Bulqizës ka kërkuar që SPAK të hetojë me detaje të gjithë projektin dhe pasuritë e personave të përfshirë.

"Do e vlerësoja shumë nëse do e publikonit, sepse nuk është normale në vitin 2024 që të vdesin nga helmimi nga uji i pijshëm banorët e Bulqizës dhe të Gjuriçës, kur vidhen taksat e shqiptarëve dhe pasurohen këto lloj njerëzish mbi kurizin tonë,"-shkruan ai.

Banorët e prekur janë të shqetësuar dhe të indinjuar nga kjo situatë, duke kërkuar veprime të menjëhershme për të ndaluar ndotjen e ujit dhe për të siguruar dënimin e përgjegjësve. Autoritetet vendore ende nuk kanë dhënë një përgjigje zyrtare për këtë çështje, ndërsa presioni publik për hetim të plotë dhe dënim të ashpër vazhdon të rritet.

Ngjarja në Bashkinë Bulqizë ngre pikëpyetje të mëdha për mënyrën se si menaxhohen fondet publike dhe tregon nevojën urgjente për transparencë dhe llogaridhënie në projekte të tilla jetësore.

Sipas raportimeve, çështja vazhdon ende të jetë në SPAK.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit