Hiqet përkohësisht pagesa në Thumanë-Kashar, mungesë stafi dhe kusuri

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 08.07.2024, 12:37

Pagesa në aksin e sapo ndërtuar Thumanë-Kashar është hequr përkohësisht për një sërë arsyesh.

Edhe pse në fillim u tha se trau do jetë falas për dy javë, pagesa 270 lekëshe është vënë në zbatim që ditën e sotme.

Por kjo ka shkaktuar trafik të rënduar dhe kaos të madh në autostradën 21 km që i ka kushtuar buxhetit të shtetit 267 milionë euro.

Shkak për trafikun e krijuar është bërë puna me vetëm dy sportele dhe kthimi i kusurit.

Qytetarët kanë treguar për JOQ ALBANIA se punonjësit e sporteleve nuk kishin para për t'iu kthyer kusur dhe kjo ka krijuar shumë probleme. Një qytetar është përplasur me një punonjëse pasi pagesën e ka bërë në euro, ndërsa kusurin ia kanë kthyer në lekë.

Përveç këtyre problemeve, qytetarët janë irrituar edhe me pagesën e cila ishte parashikuar të ishte vetëm 2.1 euro. Por sot pa pritur e pa kujtuar, Gener 2, koncesionari për 35 vitet e ardhshme, e ka bërë çmimin e rrugës 270 lekë.

Në komente dhe pas tastierës, qytetarët kanë paralajmëruar protesta, por sa të vërteta do jenë ato mbetet për t'u parë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit