Politika do të jetë gjithmonë një çështje surprizash dhe e paparashikueshme.
Fronti i Ri Popullor i krahut të majtë doli fuqi dominuese në Asamblenë Kombëtare pas zgjedhjeve të së dielës në Francë.
Sipas të dhënave e majta mori 182 mandate e ndjekur nga aleanca e Macron me 168 të tillë, ndërsa në vendin e tretë mbeti Tubimi Kombëtar i të djathtës ekstreme të Marine Le Pen me 143 deputetë. Por asnjë grup nuk mundi të fitojë i vetëm shumicën dhe ka mundësi që ky front të formojë një qeveri të pakicës apo të synojë ndërtimin e një koalicioni më të gjerë.
Mbrëmjen e të dielës nëpërmjet një deklarate Presidenca franceze, bëri me dije se kreu i shtetit Macron do të presë strukturimin e Asamblesë së re për të përcaktuar se kë do të thërrasë për të formuar qeverinë. Ndërsa kryeministri i vendit Gabriel Attal njoftoi se do të japë dorëheqjen.
Nga ana tjetër, kryetarja e Tubimit Kombëtar Marine Le Penn u shpreh se në kushte të tjera e djathta ekstreme do të kishte fituar shumicën absolute.
“Kam shumë përvojë për t’u zhgënjyer nga një rezultat ku dyfishojmë numrin e deputetëve tanë. Nëse nuk do të ishte kjo marrëveshje e panatyrshme mes Macron dhe të majtës ekstreme, tubimi kombëtar do të ishte në një situatë të shumicës absolute”, Marine Le Pen, kryetare e Tubimit Kombëtar.
Ndërkohë Partitë e Frontit të Ri Popullor ku bëjnë pjesë Partia Komuniste Franceze, Franca e Panënshtruar nga krahu i majtë, të Gjelbërit dhe Partia Socialiste u takuan për bisedimet e para se si të veprojnë pas zgjedhjeve.
Aleanca e majtë dhe ajo centriste bashkëpunuan pas raundit të parë të zgjedhjeve, duke tërhequr kandidatët, në mënyrë që të bashkonin forcat kundër Tubimit Kombëtar.