Shqiptarët dorëlëshuar gjatë pushimeve, shpenzojnë më shumë se italianët, francezët, spanjollët dhe grekët

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 08.07.2024, 10:47

Shqiptarët, që u renditën të fundit në Europë për të ardhurat për frymë, nuk janë aspak dorështrënguar gjatë pushimeve.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Turizmit, shqiptarët “konkurrojnë” shtetet që i kanë të ardhurat për frymë shumë më të larta sesa ne, për shpenzimet e bëra si turistë jashtë vendit.

Referuar këtyre të dhënave, në vitin 2023, shpenzimet e shqiptarëve jashtë ishin 2.5 miliardë dollarë dhe në raport me popullsinë, shpenzimi mesatar për banor ishte 1040-1042 dollarë në vit.

Ndërkohë që fqinjët tanë italianë etiketohen si më kurnacët pasi shpenzimin mesatar për banor e kanë 580 dollarë në vit. Për francezët ky tregues është 721 dollarë, për spanjollët 578. Nga ana tjetër, grekët si një popull që nuk udhëton jashtë vendit për pushime, i ka shpenzimin për banorë prej 278 dollarësh.

Edhe në rajon, Shqipëria mban vendin e parë, pasi serbët shpenzojnë sa gjysma jonë, pothuajse 495 dollarë. Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina renditen në fund të listës, me përkatësisht 162 dhe 124 dollarë, duke lënë pas në fund vetëm turqit, që e kanë ketë tregues 93 dollarë.

Në Europë, më dorëlëshuarit janë popujt e vendeve të ftohta, kjo edhe për shkak të pasurisë që kanë. Islanda mban vendin e parë me shpenzime gati 4200 dollarë/banor për udhëtimet jashtë vendit, ndjekur nga Norvegjia (3300), Zvicra (gati 2700), Irlanda (gati 2000), Danimarka, rreth 1800 dollarë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit