Të dhënat e grumbulluara nga Censi 2023, kanë zbuluar se 48 mijë shqiptarë nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë.
Referuar këtyre të dhënave, analfabetizmi në Shqipëri është i përhapur në 2.2% të popullsisë, duke pësuar një rënie të lehtë nga vitit 2011, kur analfabetizmi ishte i përhapur në 2.8% të popullsisë.
Nga 48 mijë analfabetë, 21 mijë janë persona me aftësi të kufizuara, duke zënë kështu 44% të totalit të analfabetëve në vend. Pedagogët e gjuhësisë thonë se mungesa e shkollave për këto kategori ndikon në rritjen e analfabetizmit.
Ky fenomen në vendin tonë rezulton të jetë më i përhapur tek femrat sesa tek meshkujt. Pjesa më e madhe e qytetarëve që nuk dinë të shkruajnë dhe lexojnë shqip janë mbi 35 vjeç, ndërsa 16% i përkasin grupmoshës nga mosha 10-35 vjeç.