Në vitin 2023 numri i transaksioneve të shitblerjeve të pasurive të paluajtshme pësoi rënie dhe kjo për disa arsye.
Sipas të dhënave nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), në 2023 u regjistruan gjithsej 35690 transaksione të shitblerjes së pasurive të paluajtshme, në rënie me 5.8% krahasuar me një vit më parë.
Në vitin 2021, tregu i pronave arriti rritjen maksimale me zgjerim vjetor të transaksioneve prej 44%, por rritja nuk ka zgjatur shumë edhe pse ritmet dyshifrore ishin edhe në vitin 2022, me 14%.
Në vitin 2023 pati një lloj frenimi dhe kjo për shkakun se një pjesë e konsiderueshme e transaksioneve në tregun e pasurive të paluajtshme janë kryer nëpërmjet kontratave të porosisë.
Kjo ka ndodhur në rastet kur pronat janë blerë përpara përfundimit ose përpara regjistrimit të tyre në Kadastër, ndërsa kontrata e shitblerjes lidhur në një moment të dytë, pas regjistrimit të pronës.
Ndryshe nga vitet e tjera, në Tiranë numri i transaksioneve të shitblerjeve të pasurive të paluajtshme pësoi rënie për të dytin vit radhazi në 2023. Në ASHK u regjistruan 20,959 shitblerje, në rënie me 20%, krahasuar me vitin 2022. Edhe në Tiranë, rritja e tregut e arriti pikën më të lartë në vitin 2021, me 29,355, me rritje prej 43.5% krahasuar me vitin 2020.
Krahasuar me periudhën 2020-2021, ku shitblerjet në Tiranë përbënin 88-89% të numrit të përgjithshëm të transaksioneve, në vitin 2023 shitjet në Tiranë përbënin më pak se 59% të tregut.
Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme (NAREA) vlerëson se një pjesë e madhe e transaksioneve në Tiranë kryhen nëpërmjet kontratave të porosisë, kjo duke pasur parasysh edhe fluksin e madh të ndërtimeve të reja në kryeqytet gjatë viteve të fundit dhe faktin që regjistrimi i këtyre pronave në kadastër kërkon kohë.
Sipas NAREA, një nga arsyet e rritjes së kërkesës për prona të ndërtuara rishtazi është edhe niveli i lartë i tatimit. Për të shmangur tatimin prej 15%, shumë pronarë të pasurive të paluajtshme hezitojnë t’i shesin pronat ose kërkojnë të deklarojnë çmime fiktive.
Bazuar në të dhënat e mësipërme mund të arrihet në përfundimin se në dy vitet e fundit, tregu i pronave është orientuar drejt zonave bregdetare dhe kërkesa për të investuar në prona në bregdet është rritur.