EKSKLUZIVE/ 23-vjeçari kishte probleme me zemrën

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 07.07.2024, 10:29

Një ngjarje e rëndë u shënua mbrëmjen e të premtes, në rrugën kryesore të Fierit, përballë shkollës "Petro Sota". Viktimë e një therje me thikë mbeti 23-vjeçari Xhimi Bakaj.

Prej dy muajsh i riu bashkëjetonte me një 33-vjeçare, ish-gruan e autorit të vrasjes, pasi kjo e fundit ishte larguar nga banesa duke qenë se ishin në proces divorci.

Autori Xhuliano Miho 39 vjeç, punëtor lavazhi, tha se 23-vjeçari e goditi me grusht gjatë një zënke dhe për të mbrojtur veten, ai deklaroi se nxori thikën dhe e plagosi.

“Gruaja më merrte në telefon dhe më thoshte se po kënaqej me të dashurin e ri, më kërkonte para për fëmijët. Edhe Xhimi më vinte te puna dhe më bënte karshillëk”,-është shprehur Miho.

23-vjeçari kishte lënë Mallakastrën për të bashkëjetuar në Fier me të dashurën 10 vite më të madhe.

39-vjeçari pretendon se e mori thikën nga viktima kir ky i fundit e goditi me grusht. Policia ka shoqëruar edhe nënën e viktimës për hetime të mëtejshme.

Ekskluzivisht për JOQ një punëtor, ish-koleg i viktimës ka rrëfyer se i riu ishte djalë tejet i mirë, i qeshur dhe i shoqërueshëm. Ai shton se viktima ishte hallexhi dhe ka punuar në ishujt e Greqisë pa letra.

“Edhe kur ka ikur me borxhe ka ikur se ngeli pa pun dhe dogji pashaporten per zotin na ka prer fare… po sishte djal problematik dhe kur debatonte ne pune e kalonte me te qeshur”,-shkruan burimi për JOQ.

Bakaj vuante nga zemra dhe kurohej çdo ditë me ilaçe.

Procesi i divorcit mes çiftit ishte ende në gjykatë, pa kaluar as fazën e pajtimit dhe procedurat e zgjatura shpesh neglizhojnë anën emocionale të palëve dhe të fëmijëve të tyre.

Viktima ishte përfshirë në mbrojtjen e të dashurës së tij nga ish-bashkëshorti i saj, i cili nuk pranonte ndarjen dhe faktin që ajo kishte filluar një lidhje të re. Autori i krimit ishte denoncuar në polici më 2 korrik, duke raportuar se ndihej i kërcënuar. Prania e 23-vjeçarit në jetën e tre fëmijëve dhe ish-bashkëshortes së tij shkaktonte tension dhe ngacmime.

Kontaktet e vazhdueshme të viktimës me tre fëmijët dhe nënën e tyre kanë përkeqësuar situatën, duke krijuar një atmosferë të tensionuar. Autori i krimit kishte tentuar ta shmangte divorcin dhe ta merrte ish-gruan dhe tre fëmijët jashtë vendit, kundër dëshirës së saj. Kjo ka provokuar episode dhune mes tyre, madje edhe në prani të fëmijëve, kur autori vizitonte fëmijët në banesën e zhvendosur me nënën.

Nëna me tre fëmijët tani është viktima e dytë e kësaj historie, pasi shihet si shkaku i vrasjes. Mentaliteti i shoqërisë shqiptare dhe niveli i ulët i përgjegjësisë prindërore përbëjnë një moçal ku ajo mund të “mbytet”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit