Deputeti Enkelejd Alibeaj ka theksuar se nuk dëshiron të identifikohet me grupin "Basha" dhe se ai është ndër ata që kanë demonstruar qartësi politike dhe përkushtim ndaj drejtësisë dhe orientimit perëndimor.
Në një intervistë, Alibeaj deklaroi se ka luftuar gjatë kundër "berishizmit" dhe nuk pranon të jetë pjesë e një grupi politik nën drejtimin e Berishës. Ai theksoi se mbrojtja e vlerave të tij politike është thelbësore, pavarësisht nga vendimet e gjykatës.
“Unë nuk do ta pranoja te quhesha pjesë e grupit “Basha”.
Unë jam një nga të paktën 105,000 persona që vjet treguan që ishin të qartë politikisht dhe të qartë kjo rrugë politike nuk do të kishte dhuratat që pushteti të jep, por për te treguar që kanë moral politik, të kthjellët politikisht.
Këta njerëz e kanë të panegocueshme orientimin e këtij vendi drejt perëndimi dhe mbështetjen e SPAK-ut dhe drejtësisë.
Unë kam bërë një betejë më të gjatë me “berishizmin”. Kjo daton më së paku nga 2012 dhe i qëndroj këtyre vlerave. Dhe e fundit që do të them është që ne politikë nuk i qëndroj paganizmit politik, nuk jam nga ata që i shkon pas një vule, një logoje pavarësisht rëndësisë që ka.
Pavarësisht nga vendimi i gjykatës, nuk do të ndryshoja vlerat. Dhe nuk do pranoja që të isha pjesë e një grupi politik me në krye Berishën më saktë “ të berishizmit”. Dhe e fundit çfarë unë shoh. Kurrsesi asnjë nga ne nuk mund të rri në letargji kur sot rreziku për të ricikluar tranzicionin 34-vjeçar mes të vjetrës është në pragun e derës”-deklaroi Alibeaj.
Ai shton ndër të tjera se është një detyrim moral për votuesit që të krijohet një subjekt politik elektoral.
“Nuk ka një parti të një individi por e kemi më detyrim moral për të krijuar një subjekt elektoral. Parti me emër mbiemër jo. Një model i ri i organizimit partiak atë që kemi krijuar nuk do të ishte asgjë”,-tha Alibeaj.