Mond Gashi me 3 apartamente, 2 biznese, dyqane e tokë

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 06.07.2024, 09:15

Edmond Gashi, mjeku i Onkologjikut, i cili u bë i njohur pas zhvatjes së paskrupullt të pacientëve me kancer, zbulohet se zotëron më shumë se 13 pasuri të ndryshme në Tiranë. Pasuria e Mond Gashi ngre dyshime mbi burimin e të ardhurave të tij financiare.

3 Apartamente, 2 garazhe, 2 biznese, 1 dyqan, një sipërfaqe toke me vlerë 47,000€ dhe llogari bankare janë të regjistruara në emër të tij. Ai është akuzuar për "Shpërdorim të detyrës" për transferimin e pacientëve nga spitali shtetëror në klinikën e tij private për operacione kundrejt pagesës, dhe u la në arrest shtëpie nga prokurori Bledar Valikaj, bashkëshorti i deputetes së PS Ermonela Felaj.

Sipas hetimeve, dy biznese janë regjistruar në emër të Gashit. "Gashi-Medical," e themeluar në 2021, është 90% në pronësi të Edmond Gashit dhe 10% në pronësi të vëllait të tij, Floren Gashi. Ky biznes merret me import-eksport dhe tregtim të pajisjeve mjekësore dhe laboratorike, ndër të tjera. Klinika tjetër, "Medical Clinic MEGIS," e regjistruar në 2019, është gjithashtu 90% në pronësi të Edmond Gashit dhe 10% në pronësi të gruas së tij Manjola Gashit.

Në emër të Edmond Gashit janë regjistruar dy garazhe me sipërfaqe 21 m2 secili, një dyqan me sipërfaqe 34 m2, një apartament 62 m2, dhe një apartament tjetër me sipërfaqe 90.4 m2, të gjitha në zonën e Yzberishtit.

Gjithashtu, ai zotëron një apartament me sipërfaqe 50 m2 në emër të vëllait të tij, Eduard Gashi, Anila Gashi dhe Fatbardha Hasani. Kjo pasuri është e ngarkuar me barrë hipotekore në favor të Drejtorisë Rajonale Tatimore për pjesën takuese të Anila Gashi.

Për më tepër, në emër të Edmond dhe Manjola Gashit është regjistruar një pasuri prej 110 m2 me vlerë 47 mijë euro.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit