Një incident tragjik ndodhi mbrëmjen e premte në qytetin e Fierit, ku një 23-vjeçar u vra me thikë në lagjen “11 Janari” pas një konflikti që dyshohet të ketë përfshirë një grua. Sipas raportimeve, autori i dyshuar i vrasjes është Xhuliano Miho, 39 vjeç, i cili thuhet se ka goditur me thikë partnerin e ish-bashkëshortes së tij, 23-vjeçarin Xhimi Bakaj.
I riu u transportua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, por nuk mundi të shpëtojë dhe ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra.
Burimet policore thonë se shkak i vrasjes është divorci mes autorit dhe ish-bashkëshortes së tij, me të cilën ka dy fëmijë. Pas ndarjes, ish-bashkëshortja kishte filluar të bashkëjetonte me viktimën. Autori e ka takuar rastësisht në rrugë viktimën dhe pas një debati e ka qëlluar me thikë të paktën tri herë.
Autori i dyshuar është arrestuar nga policia, dhe hetimet për të zbuluar të gjitha rrethanat dhe motivet e këtij incidenti të rëndë janë në vazhdim.