89 emigrantë kanë humbur jetën pasi varka në të cilën ndodheshin u përmbys në Oqeanin Atlantik. Trupat e pajetë të emigrantëve u gjetën nga rojet bregdetare në Mauritani. Ndërkohë, 9 persona, përfshirë dhe një vajzë 5-vjeçare janë shpëtuar, por dhjetëra raportohen të zhdukur.
Të mbijetuarit kanë deklaruar se varka tradicionale e peshkimit në të cilën ata ndodheshin u nis javën e shkuar nga zona kufitare Senegale-Gambiane me 170 persona, ndërsa u përmbys në brigjet jugperëndimore të Mauritanisë.
Këto brigje janë një pikë kyçe tranziti për migrantët që përpiqen të arrijnë në Evropë nga Afrika Perëndimore, me mijëra varka që u nisën nga vendi vitin e kaluar. Destinacioni më i zakonshëm në rrugën e rrezikshme drejt Evropës janë Ishujt Kanarie të Spanjës.
Qeveria spanjolle ka deklaruar se rreth 40 mijë emigrantë kanë mbërritur atje vitin e shkuar, dyfishi i numrit nga viti i kaluar. Më shumë se 5,000 emigrantë vdiqën ndërsa përpiqeshin të arrinin në Spanjë përmes detit në 5 muajt e parë të vitit 2024.
Në muajin Prill, BE i dha Mauritanisë 210 milion € ndihmë, pothuajse 60 milion €, nga të cilat do të investohen në luftën kundër migrimit pa dokumente në Evropë.