Prej pak kohësh në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është vendosur Klevis Qose. Koha e shkurtër në detyrë nuk e ka penguar aspak “Visin e Burgjeve” që të realizojë tendera të dyshimtë. Njëri prej tyre është ai që do të shikoni sot, ku përfshihen gruaja e ish-Guvernatorit Ardian Fullani dhe kunati i tij.
Bëhet fjalë për një tender me objekt “Blerje Materiale Mjekësore dhe Stomatologjike”. Fondi limit është në vlerën 34,166,585 lekë të reja pa TVSH ose gati 410 milionë lekë të vjetra me TVSH dhe ka si referencë numrin REF-06340-05-23-2024.
Vihet re se në tender nuk ka marrë pjesë asnjë kompani tjetër veç asaj që ka fituar tenderin. Bëhet fjalë për firmën GP MEDICAL AL, e cila është në pronësi të Edvin Liço, Lokol Xhaja dhe Arjana Fullani.
Kjo e fundit është bashkëshortja e Ardian Fullanit ndërsa Lokol Xhaja është vëllai i saj. Familjarët e Ardian Fullanit kanë përfituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shifrën prej 30’708’680 lekë të reja pa TVSH ose rreth 370 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Duket qartë se tenderi është i dyshimtë, për shkak të mungesës së konkurrencës si dhe faktit se oferta fituese e dhënë nga familjarët e Fullanit është thuajse sa 90% e fondit limit të tenderit. Kuptohet gjithashtu se edhe “Visi i Burgjeve” ka marrë një valixhe të mbushur plot për të shpallur fitues kompaninë e familjarëve të Fullanit.