Fondi Shëndetësor pranon krimet çnjerëzore me ilaçet dhe vjedhjet me Check-up

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.07.2024, 15:35

Skandalet në shëndetësinë shqiptare s’kanë të ndalur dhe i radhës mund të konsiderohet lehtësisht çnjerëzor.

Pak ditë më parë, drejtuesit e Fondit të Kujdesit Shëndetësor kanë raportuar në Komisionin e Shëndetësisë për Check-up-in dhe ilaçet me rimbursim për të sëmurët kronikë dhe me kancer.

Por duke iu referuar urdhërave të ish-ministrave, këto raportime janë krime në kurriz të shqiptarëve.

Së pari, me urdhër të ish-ministrit Ilir Beqja, në janar 2016, mjekët e familjes që nuk plotësojnë numrin e analizave të “Check-up”, të alternuara mes moshave 35-70 vjeç, gjobiten me 1 pagë mujore.

Sikur të mos mjaftonte kjo, pasuesja e tij Ogerta Manastirliu në muajin dhjetor 2017 shtoi dhe një masë tjetër ndëshkuese, që është akoma në fuqi me këtë përmbajtje: shkarkohen mjekët e familjeve, që nuk plotësojnë numrin e analizave “Check-up” për 3 muaj radhazi.

Dhe për këto dy arsye të lartpërmendura, shefat e Fondit të Sigurimit Shëndetësor kanë pranuar se mjekët e familjeve janë detyruar të deklarojnë numër fiktiv analizash me lista emërore false.

Me këtë mashtrim, Vilma Nushi ka përfituar nga 4-6 milionë Euro në vit, ose afro 55 milionë Euro për punë të pa kryer gjatë viteve 2015-2023, të cilat Fondi i Kujdesit Shëndetësor i ka paguar, megjithëse e ka ditur që 40% e numrit të analizave nuk janë kryer realisht, madje ka marrë dhe nga 1-2 milionë Euro TVSH çdo vit, kur kjo PPP nuk duhet të marrë rimbursim.

Sikur të mos mjaftonte kjo, krimi tjetër me pacientët, i zbuluar në Fondin e Kujdesit Shëndetësor, lidhet me sasinë dhe cilësinë e ilaçeve kryesore e të sëmundjeve të rënda, që marrin qendrat spitalore e spitalet rajonale; me sasinë e llojet e ilaçeve që rimbursohen dhe numrin e të sëmurëve të rimbursuar.

Me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe për shkak të fondeve të akorduara nga qeveria, për çdo 1 mijë pacientë me sëmundje të rënda, ilaçet sigurohen vetëm për 100 pacientë, ndërsa në çdo 1 mijë pacientë me sëmundje kronike, në listën e rimbursimit futen 300 të sëmurë.

Shefat e Fondit të Kujdesit Shëndetësor kanë pranuar se numrin e pacientëve dhe llojet e ilaçeve që do jepen me ribursim, i caktojnë mjekët e familjeve; por ata janë urdhëruar, që në receta t’u shënojnë vetëm 30-40% të sasisë së ilaçeve e vetëm ato ilaçe me çmime të lira.

Gjithashtu mjekët janë urdhëruar që të mos shtojnë asnjë të sëmurë kronikë në lista rimbursimi por dhe të mos japin për rimbursim, asnjë ilaç të sëmundjeve të rënda.

Krimet s’mbarojnë me kaq pasi i radhës lidhet me mungesën e ilaçeve të shtrenjta në QSUT, Spitalin e Fëmijëve, Onkologjik, Spitalin e Traumës, Spitalin “Shefqet Ndroqi”, 2 qendrat spitalore Obstreti-Gjinekologji dhe në 12 spitalet rajonale, ku qeveria financon vetëm 35-40% të sasisë së tyre.

Për të furnizuar spitalet me të gjitha nevojat për ilaçe, vlera financiare e akorduar nga qeveria duhet të jetë mesatarisht 155 milionë Euro në vit, por në vendin tonë shëndetësia merr vetëm 67 milionë Euro në vit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit