Pacientët e spitalit Onkologjik janë lënë për të dytën ditën pa mjekim. Mungesa e Taxol-it, i kthehu mbrapsh nëpër rrethe dhjetra pacientë që kishin ardhur të mjekoheshin. Askush nuk mban përgjegjësi dhe asnjë nuk jep përgjigje, duke i lënë të enden në rrugë të madhe, në mes të vapës së korrikut.
Burime bëjnë me dije se familjarë të pacientëve kanë kërkuar takim me drejtoreshën e Depos së Barnave, e cila e ka refuzuar dhe ka lajmëruar përmes sportelit të informacionit që nuk vjen as sot mjekimi. Për të larguar përgjegjësitë nga vetja, drejtuesja ka kërkuar që ankesa të bëhet me shkrim, por pa u protokolluar.
Por pyetja që lind këtu është: Kush mban përgjegjësi për përkeqësim të gjendjes së pacientit, apo më e keqja, në rast fataliteti?
Sot në seancën plenare ministrja Albana Koçiu u tregua e kujdesshme të fajësonte mjekët, e këdo tjetër, por jo veten.
Për skandalin e Onkologjikut, që po zien prej ditësh, opozita i kërkoi Koçiut dorëheqjen, për ministren kjo kërkesë është hipokrizi, jo mungesa e ilaçeve jetëshpëtuese.
“Nder nuk iu bën dhe asgjë nuk do të arrini sepse jeni qartësisht të lexueshëm në hipokrizinë tuaj për t’i qarë hallin qytetarëve”, tha ajo.
Nga ana tjetër, Koçiu theksoi se përgjegjësia ka fytyrë dhe emër dhe nuk ka vend për përgjithësime.
Koçiu theksoi se inkurajon organet e drejtësisë që të hetojë deri në fund këtë çështje, duke vënë para përgjegjësisë çdokënd që ka shkelur ligjin. Por a është edhe minstrja e Ramës përgjegjëse për këtë skandal? A duhet SPAK të nis hetimet përtej mjekëve, për krimin kundër njerëzimit? Çfarë quhet skandal më i madh se kaq që Albana Koçiu jo vetëm të japë dorëheqjen, por të shkojë edhe nën hetim, së bashku me çetën përgjegjëse për këtë masakër.