Laert Haxhiu ekstradohet nga Greqia në Shqipëri

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 03.07.2024, 14:16

Laert Haxhiu, i shpallur fajtor për 'Masakrën e Lushnjes' do të ekstradohet sot nga Greqia në Shqipëri.

Haxhiu do të ekstradohet nga shteti grek drejt vendit tonë, përmes pikës kufitare të Kakavijës, nën masa të rrepta sigurie.

Arrestimi i tij ndodhi në maj të vitit 2023 në Janinë dhe që atëherë është mbajtur në burgun e Koridhalos.

Gjykata e Posaçme ka dënuar me burgim të përjetshëm Haxhiun për "Masakrën e Lushnjes" ndodhur në shtator të vitit 2017. Asokohe, Haxhiu vrau shtetasit Jurgen Hoxha e Zamir Latifi dhe plagosi dy persona të tjerë, Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku. Për këtë ngjarje të rëndë, më parë është dënuar me burgim të përjetshëm edhe Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili.

Hetimet kanë zbuluar se shënjestra e autorëve ka qenë Xhuljo Shkurti, nipi i Aldo Bares, që ishte kthyer në Shqipëri një ditë para krimit. Por pak para se të ndodhte ngjarja e rëndë, ai ishte larguar nga shokët e tij dhe kishte shkuar për t'u qethur.

Shkak për "Masakrën e Lushnjes", u bë një konflikt i vjetër që familja Haxhiu kishte me familjen e Aldo Bares.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit