Gjendja e shëndetësisë në Shqipëri është fatkeqësisht në një situatë “rrumpallë”. Ndonëse Rama del në TV dhe bën sikur u heq vërejtje mjekëve që shkelin ligjin dhe përfitojnë nga pacientët, në të vërtetë vjedhjet në shëndetësi vazhdojnë “me lopatë”.
Rasti më i freskët është ky që do të lexoni në vijim. Spitali Universitar i Traumës, i njohur në gjuhën e popullit si ish-Spitali Ushtarak, i ka dhënë pa garë plot 330 milionë lekë të vjetra njërës nga kompanive të përfshira në koncesionin e shumë diskutuar të sterilizimit.
Bëhet fjalë për një tender me numër reference REF-11140-06-25-2024. Objekti i tij është “Kryerje e shërbimit të lavanderisë për nevoja emergjente” dhe ka një fond limit në vlerën 27,583,440 lekë të reja pa TVSH ose rreth 330 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Vihet re se tenderi është organizuar “me negocim, pa njoftim”, pra nuk ka patur garë fare dhe fituesi është përzgjedhur dhe shpallur direkt nga Spitali i Traumës. Por cili është fituesi? Bëhet fjalë për kompaninë SANITARY CLEANING, e cila zotërohet në masën 40% nga SERVIZI ITALIA S.P.A dhe në masën 60% nga Berinv B.V.
Le të ndalemi tek “Servizi Italia”. Kjo firmë është kompania që ka akionet më të mëdha tëk një firmë tjetër e quajtur “SaniService”. Kjo e fundit gjatë kohës që është nënshkruar kontrata për koncesionin e sterilizimit, përfaqësohej nga Ilir Rrapaj, emigrant shqiptar anonim në Itali, i dyshuar për lidhje me Ilir Beqajn.
Siç është përmendur shpesh, koncesioni i sterilizimit ka patur akuza të forta si një ndër vjedhjet më të mëdha në shëndetësi, ku dyshohet se po paguhet gati 10 herë më shumë se kosto reale.
Ndërsa tani rezulton se po të njëjtat kompani që kanë koncesionin e sterilizimit, vazhdojnë të marrin tendera pa garë në shëndetësi. Nuk dihet ndërkohë se sa para ka futur në xhep për këtë tender, drejtoresha e spitalit, Edlira Bode.