Censi 2023: 400 mijë shqiptarë më pak por 75 mijë banesa më shumë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 01.07.2024, 08:59

Pak ditë më parë, Instituti i Statistikave publikoi të dhënat e Censit 2023. Nga të dhënat e popullsisë, në Shqipëri rezultojnë 2.402.113 banorë dhe krahasuar me Censin e vitit 2011 në vendin tonë rezultojnë 419 mijë e 831 banorë më pak ose afër 17%.

Por edhe pse numri i popullsisë është tkurrur me mbi 400 mijë banorë, stoku i banesave është rritur me gati 75 mijë që nga regjistrimi i vitit 2011.

Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2023 rezultuan 1,082,529 banesa në të gjithë vendin, pa përfshirë ato që përdoren për biznes. Krahasuar me censin e mëparshëm, ka një rritje me 7.4% të numrit të banesave, ose rreth 74.2 mijë më shumë se në 2011, kur kishte 1,008,243 milionë banesa. Shtëpitë individuale përfaqësonin 47,0% të këtyre banesave, ndërsa 39,9% e tyre janë pallate.

Nga numri total i banesave të zakonshme, 726.325 (67,1%) banesa kanë rezultuar të banuara, duke vlerësuar 32,9% banesat e zakonshme të pabanuara. Nga anketimi në terren, INSTAT gjeti se shkalla e banesave të zakonshme të pabanuara varionte nga 24,3 për qind për banesat pjesërisht të veçuara në 39,4 për qind për banesat në pallate, shtëpitë individuale dhe ato në rend tarracor ishin përkatësisht secila 29,2 dhe 29,8 për qind, njoftoi INSTAT.

Në bazë të këtyre të dhënave rezulton se në vend ka gjithsej 356 mijë banesa që janë bosh (32.9% e totalit), nga të cilat 170 mijë, ose gati gjysma janë në pallate. Pallatet kanë dhe përqindjen më të lartë të banesave bosh, me gati 40%.

Ndër faktorët që kanë ndikuar në zbrazjen e banesave në vend përmendet emigracioni por edhe cikli i ndërtimit që vitet e fundit është gjallëruar me ritme të shpejta. Sektori i ndërtimi është përfshirë në zhvillime të vrullshme vitet e fundit duke bërë që për çdo 2.2 banorë të ketë një banesë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit