Gjatë ndeshjes së Kampionatit Evropian të Futbollit mes Gjermanisë dhe Danimarkës, një burrë i maskuar dhe me një çantë shpine u ngjit nën çatinë e stadiumit të Dortmundit.
Policia e cila e ka arrestuar pas ndeshjes thotë se bëhet fjalë për një 21-vjeçar nga Osnabrück. I riu kishte pajisje kamerash në çantën e shpinës dhe gjatë marrjes në pyetje ai deklaroi se donte të bënte “foto të mira”.
Hetuesit aktualisht përjashtojnë një motiv politik pasi i riu nuk përbënte asnjë rrezik.
Sipas mediave gjermane, 21-vjeçari ka hyrë në çatinë e stadiumit në orën 22:27 duke u ngjitur nga platformat e aksesueshme nën çatinë e stadiumit.
Shërbimet e urgjencës iu afruan të riut pas fishkëllimës së fundit dhe e shoqëruan.
Incidenti ngre edhe një herë pikëpyetje për konceptin e sigurisë së Kampionatit Evropian. Ditët e fundit ka pasur incidente të përsëritura me tifozët që zbresin në fushë për të bërë foto me lojtarët.