Qeveria njoftoi hapjen e aksit rrugor Thumanë-Kashar ose siç njihet ndrysha rruga “prej ari” për shkak të milionave që ka kushtuar dhe do të vjelë koncesionari Bashkim Ulaj me kompninë e tij Gener 2 në vitet në vijim.
Kalimi në këtë rrugë do të ketë një tarifë (toll) minimumi 2.1 euro për mjet, por kjo mund të ndryshojë në varësi të përmadave të mjetit por edhe luhatjeve të kursit të këmbimit lekë euro, kusht ky i vendosur nga kompania e Bashkim Ulajt.
Ndërtimi i aksit Thumanë-Kashar i ka kushtuar shtetit shqiptar katër herë më shumë se rrugët europiane.
Sipas një raporti nga Banka Europiane e Investimeve, në 2021, një kontratë koncesionare për ndërtimin e një autostrade në Çeki 32 km të gjatë, si dhe mirëmbajtje për 28 vite do të kushtojë 16.5 milionë euro/km.
Ndërkohë që Kekava Bypass në Letoni, ndërtim dhe mirëmbajtje për 20 vjet do të kushtojë 14.2 milionë euro/km.
Por në Shqipëri, Gener 2 do i boshatisë mirë xhepat e shqiptarëve pasi ka planifikuar një koncesion me të ardhura për koncesionarin 1.56 miliardë euro me TVSH për 35 vite. Ndërtimi, mirëmbajtja dhe transferimi i saj do të kushtojë 61.9 milionë euro/km, vlerë 3 deri në 4 herë më e lartë se partneritetet europiane.
Kjo është vlera më e lartë krahasuar me shifrat e qeverisë shqiptare, e cila në Listën e Investimeve Strategjike 2019-2020 zbulonte se me fondet e veta rruga do të ndërtohej për 169 milionë euro.
Aksi fushor Thumanë-Kashar ka vlerën me të lartë të ndonjë rrugë në botë për kilometër:
59 euro për milimetër rrugë
590 euro për centimeter rrugë
59.000 euro për metër rrugë
59 milionë euro për kilometër rrugë
Është parashikuar se në fund të periudhës prej 35 vitesh të koncesionit, Ulaj do të përfitojë plot 1.56 miliardë euro. Gjithashtu shteti ka vendosur edhe një garanci prej 22.8 milionë eurosh në rast se Bashkim Ulaj nuk do të mbledhë të ardhurat e planifikuara. Koncesionarit i njihet dhe e drejta për të mbledhur të ardhurat shtesë, për të cilat do paguajë vetëm një tatim-fitim.
Në këto kushte, barra e tarifës mbi qytetarët e bën ndërtimin e kësaj autostradë më të kushtueshme edhe se autostradat e cilësisë “A” në Greqi dhe Itali.