Thirrje raciste kundër Maqedonisë, Daku: Më kapën emocionet

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 30.06.2024, 12:22

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, ka dhënë një intervistë për mediat ruse, ku ka kërkuar falje për incidentin që ndodhi gjatë Euro 2024.

Pas përfundimit të ndeshjes kundër Kroacisë, Daku mori altoparlantin dhe filloi të këndonte një këngë me përmbajtje fyese ndaj serbëve dhe maqedonasve.

Kjo sjellje çoi në dënimin e tij me dy ndeshje nga UEFA. Ai theksoi se veprimi ishte i papërshtatshëm dhe shprehu keqardhjen e tij për pasojat e krijuara.

“Natyrisht, kjo javë ishte shumë e vështirë. Jam përballur me presion që nuk e kam pasur asnjëherë. Isha në qendër të një skandali, për të cilin jam i turpëruar. Nuk kam dashur të nxis një situatë të tillë, pa përmendur që kjo ngjalli valë reagimesh në media. Çdo gjë doli nga kontrolli. Pas gjërave si kjo, gjithnjë filloj të stresohem. Këto mendime dhe përvojë nuk më lëshojnë”, ka thënë Daku, sipas gazetës ruse Sport-express.ru.

Po ashtu ai ka bërë një shpjegim të situatës “pasi jo të gjithë në Rusi e dinë plotësisht se si ka ndodhur”.

“Pas ndeshjes së parë në Evropian me Italinë, mbrojtësi ynë, Elseid Hysaj, ka pranuar shumë kritika nga tifozët. Jo vetëm tifozët por edhe mediat kanë bërë presion ndaj tij. Pas ndeshjes me Kroacinë, kam dashur ta mbështes atë dhe kam shkuar së bashku me të te tribuna e tifozëve, që tifozët ta pranojnë atë, ta përkrahin dhe që të ndajmë momentin e gëzimit me të. Ata më pas i dhanë atij altoparlantin dhe unë isha afër.

Më pas altoparlanti ishte në duart e mia dhe unë i thash ato fjalë. Në ndeshje si ajo, tifozët shpesh lejojnë veten të bëjnë thirrje ofenduese ndaj tifozëve të vendeve tjera. Kjo atmosferë të shoqëron gjatë ndeshjes dhe të mbërthen. Ndikon te të gjithë në stadium. Ajo ndeshje kishte fund emocional – shënuam golin e barazimit në minutën e fundit dhe unë bëra debutimin në Evropian. Kështu që emocionet ishin shumë të mëdha. Por kjo nuk më justifikon. Menjëherë më pas e kam kuptuar se çka kam bërë: kam thënë gjëra të papërshtatshme. Isha i shokuar që lejova emocionet të më kaplojnë dhe që lejova veten të bëj gjëra të tilla”, ka deklaruar ndër të tjera sulmuesi i kombëtares kuqezi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit