Biden: Nuk debatoj dot më aq mirë sa më parë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 29.06.2024, 11:05

Presidenti Joe Biden u përpoq këtë të premte të qetësonte shqetësimet në radhët e demokratëve për paraqitjen e tij gjatë debatit me ish-presidentin Donald Trump. Ndërkohë zyrtarët e zgjedhur të partisë u bashkuan rreth tij, në përpjekje për të ndalur idetë për zëvendësimin e tij si kandidat për president i Partisë Demokrate.

Hezitimi i tij gjatë debatit dhe komentet e zbehta në veçanti në fillim të debatit, ushqyen frikën në radhët e vetë anëtarëve të partisë së tij, se në moshën 81-vjeçare, ai nuk është në nivelin e duhur për detyrën e drejtimit të vendit për katër vite të tjera. Kjo krijoi një moment krize për fushatën e tij elektorale dhe për presidencën e tij, ndërsa anëtarë të partisë filluan të kontaktojnë zëvendësuesit e mundshëm, si dhe donatorët dhe mbështetësit që nuk mund ta përmbanin më shqetësimin për paraqitjen e tij të dobët përballë ish-presidentit Trump.

Presidenti Biden duket se i pranoi kritikat gjatë një tubimi në Raleigh, të Karolinës së Veriut, duke thënë: “Nuk debatoj më aq mirë si dikur”. Por, shtoi: “e di si ta bëj këtë punë. Di si t’i realizoj gjërat”.

Që përpara debatit, mosha e presidentit Biden kishte qenë një pikë e dobët për votuesit dhe paraqitja në përballjen e së enjtes në mbrëmje duket se përforcoi shqetësimet e thella të publikut. E gjithë kjo ndodhi përpara audiencës më të madhe që ai ndoshta do të mundet të ketë deri në ditën e zgjedhjeve.

Udhëheqësi demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries u përgjigj me një “jo” të prerë, kur u pyet të premten nëse presidenti Biden duhej të tërhiqej. Por, ai shtoi se do të ndiqte me interes se si presidenti do ta trajtonte në tubimin e së premtes paraqitjen e tij gjatë debatit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit