Italia nuk i mbështet emrat e rinj për postet e BE-së, Meloni: Propozime të gabuara

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 28.06.2024, 11:26

Italia nuk mbështet emrat e propozuar për postet kryesore të Bashkimit Evropian. Shumica e liderëve në samitin e Brukselit të enjten mbrëma ranë dakord që Ursula Von der Leyen të mbetet në post, krahas zgjedhjes së ish-kryeministrit portugez António Costa si presidentin e ardhshëm të Këshillit të BE-së, dhe kryeministren estoneze Kaja kallas si shefe e politikës së jashtme të bllokut.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni abstenoi, në vend që të mbështeste Von der Leyen ndërsa kryeministri hungarez Viktor Orbán votoi kundër. Qëndrimi i Melonit erdhi pasi ajo shprehu pakënaqësinë e saj për një mbledhje të gjashtë liderëve të BE-së javën e kaluar ku ajo dhe grupimi i saj politik të së djathtës u përjashtuan. Grupi i saj nacionalist i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë doli forca e tretë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian këtë muaj.

“Propozimi i formuluar nga Partia Popullore, Socialistët dhe Liberalët ndaj emrave të rinj në krye të Evropës është i gabuar për nga metoda dhe përmbajtja. Është një gabim i madh, e konsideroj mbi të gjitha mungesë respekti ndaj qytetarëve europianë, ndaj votës së shprehur nga ata qytetarë dhe ndaj vendosa të mos e mbështes këtë propozim”.

Pas kritikave të Melonit, reagoi edhe presidenti italian, Sergio Mattarella i cili u shpreh se blloku nuk duhet të injorojë Italinë. Nga të treja postet më i rëndësishmi është ai i Von der Leyen. Si presidente e Komisionit, detyra e saj është të hartojë dhe zbatojë politikën e përbashkët të bllokut për gjithçka, nga emigrimi tek ekonomia dhe rregullat mjedisore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit