Mbi 40 minuta foli ish presidenti amerikan Donald Trump, dhe rreth 35 te tjera presidenti aktual i SHBA-së Joe Biden në debatin e parë presidencial të zgjedhjeve qe do te mbahen në nëntor. Deklaratat e tyre kanë sjellë shumë reagime ne mesin e republikaneve dhe demokrateve, që përgjithësisht lidhen me komente negative drejtuar performances së Joe Biden.
Trump sulmoi në mënyrë të përsëritur Biden mbi ekonominë dhe të dhënat e tij të politikës së jashtme, ndërsa Biden synonte dënimin penal të rivalit të tij dhe përpjekjet e supozuara për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020.
Disa zyrtarë demokratë shprehën shqetësime për performancën e lëkundur të presidentit Biden në disa raste, teksa Trump sipas tyre gënjente dhe devijonte pyetjet.
Kampi i fushatës i Trump shpalli fitoren, duke thënë se ai dha “performancën e tij më të mirë të debatit”. Joe Biden dhe Donald Trump bënë një numër gabimesh faktike në fillim të debatit në Atlanta.
Presidenti Biden e filloi debatin me një gafë, duke pretenduar se kishte krijuar 15,000 vende pune. Numri i saktë është më shumë se 15 milionë vende të reja pune gjatë mandatit të tij, një nënvlerësim dramatik nga një kandidat, që po përpiqet të rifitojë besimin e votuesve në aftësitë e tij për të udhëhequr ekonominë e vendit.
Biden filloi të përqendrohej në sulmet ndaj zotit Trump duke përmendur gjyqin në Nju Jork, në të cilin ai u shpall fajtor për fshehjen e pagesave për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniel për të mbajtur të fshehur një marrëdhënie seksuale me të. Presidenti Biden e quajti rivalin e tij republikan “një njeri të shpallur fajtor për një krim”.
Ish Presidenti Trump u përgjigj duke përmendur gjyqin ndaj djalit të Presidentit Joe Biden, Hunter Biden, në të cilin ai u shpall fajtor për akuzën se ka gënjyer në një formular për blerjen e një arme mbi historinë e përdorimit të drogës.
Gjatë debatit, Biden dhe Trump ishin dakord në kundërshtimin e kushteve të presidentit rus Vladimir Putin mbi përfundimin e luftës në Ukrainë. Por, Trump përsëriti pretendimet e tij se lufta nuk do të kishte filluar kurrë nëse ai do të kishte qenë president.
Ai kritikoi gjithashtu Presidentin Biden për ndihmat e mëdha që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kievit.
Një nga temat e politikës së jashtme në debat ishte edhe lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.
Trump kritikoi Presidentin Biden për mënyrën se si e ka trajtuar luftën në Rripin e Gazës, duke thënë se “është bërë si një palestinez” për shkak të kërkesës që Izraeli të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët në Gaza.
Presidenti Biden i hodhi poshtë kritikat se administrata e tij ka zvarritur dërgimin e disa llojeve të armëve në Izrael. “Ne po i ofrojmë Izraelit të gjitha armët që i nevojiten”, tha ai.
Debati i ardhshëm mes Presidentit Biden dhe ish Presidentit Trump është caktuar të mbahet më 10 shtator.