Sipas Bankës Botërore, në vitin 2000 në Shqipëri për çdo 100 lekë të shpenzuara për shëndetin, 46.5 lekë ishin nga financimet e brendshme të qeverisë, 1.7 lekë nga burime të jashtme dhe 51.8 lekë nga vetë xhepat e qytetarëve.
Ndërkohë që dy dekada më vonë, shpenzimet për shëndetin jo vetëm që nuk kanë shënuar përmirësim, por qytetarët kanë paguar 3.4% të pagës si tatim për sigurimet shëndetësore.
Referuar të dhënave të Bankës Botërore në vitin 2021, për çdo 100 lekë të shpenzuara për shëndetin, shqiptarët paguan nga xhepi rreth 60 lekë, ose 60%, rreth 8 pikë përqindje më shumë sesa në vitin 2000. Kjo tregon se shteti po financon gjithnjë e më pak për mirëqenien shëndetësore të qytetarëve, me 39.7% të totalit, nga 46.5% që ishte në 2000. Edhe financimet e huaja kanë rënë në vetëm 0.5% të totalit, nga 1.7% në 2000.
Në krahasim me gjithë vendet e tjera të Europës (pa përfshirë ish shtetet e bashkimit Sovjetik), Shqipëria mban rekord për shpenzimet nga xhepi. E dyta pas nesh është Maqedonia e Veriut, me 41.7%, e ndjekur nga Mali i Zi (38.1%), Serbia (35.8).