Porositën online varëse 8 mln lekë, ‘blerësit’ ia vjedhin pronarit nën kërcënimin e kallashnikovit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.06.2024, 10:17

Një grabitje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e djeshme në zonën e Valiasit, Kamëz.

Luis Balliu, punonjës argjendarie dhe Egzon Mustavataj agjenti i krimeve pranë Komisariatit nr.4, janë grabitur nën kërcënimin e armës nga dy persona që ende nuk janë identifikuar nga policia.

Kur janë marrë në pyetje, ata kanë deklaruar se autorët u kanë grabitur një varëse floriri me vlerë 8 milionë lekë të vjetra.

Balliu do ta shiste varësen te një person tjetër me të cilin kishin folur në rrjetet sociale dhe takimi do bëhej në vendin që blerësi kishte caktuar. Por 22-vjeçari duke patur me vete një varëse të shtrenjtë ka lajmëruar edhe shokun e tij, efektivin e policisë së komisariatit nr 4.

Sipas tyre, pasi kanë mbërritur në vendin e kërkuar nga klienti, një automjet me ngjyrë të zezë, tip Golf 5, me targa të huaja ka ndaluar afër tyre. Nga mjeti kanë dalë dy persona të maskuar me kapuç dhe shall ku njëri prej tyre mbante një automatik në dorë. Njëri prej tyre ka qëlluar në ajër për të frikësuar dy personat dhe autori tjetër ka hapur derën e makinës ku ndodheshin Balliu dhe Mustavataj dhe ka marrë varësen.

Pas kësaj punonjësi i argjendarisë ka shkuar në komisariatin nr.5 dhe ka bërë kallëzimin. Ndërkohë që shoku i tij polic në momentin që ka ndodhur ngjarja ka patur me vete pistoletën e shërbimit, por që nuk e ka përdorur. Në vendngjarje është gjetur një gëzhojë që dyshohet se i përket automatikut të autorëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit