Kavalishenca me pagesë, qytetarja: Me lekë qëndrimi mbi rërë dhe nën hijen e pemëve

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.06.2024, 09:15

Kavalishenca, shtëpia e pushimit të Ministrisë së Brendshme që më parë ishte vetëm për punonjësit e këtij institucioni, tani mund të shfrytëzohet nga të gjithë.

Vetë ministria ka njoftuar se kjo shtëpi pushimi në Durrës tani do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të kalojnë fundjavën me familjarët e tyre.

Por se çfarë ndodh në të vërtetë në këtë shtëpi pushimi, na e tregon një qytetare që fundjavën që lamë pas shkoi me bashkëshortin dhe dy fëmijët.

Ajo thotë se që në orën 8 të mëngjesit çadrat me shezlonge ishin të zëna dhe zgjidhja e vetme që iu mbetej pushuesve ishte ulja nën hijen e pemëve apo rërë. Por as kjo alternativë nuk ofrohej falas pasi qytetarja thotë se zëvendës drejtori kishte vendosur një tarifë prej 100 lekësh për person.

Sipas saj punonjësi u bëri 'nder' pushuesve dhe u mori vetëm 100 lekë për familje. Qytetarja ka dyshime se këtu kemi të bëjmë me abuzim pasi mungesa e transparencës dhe mënyra e dobët e menaxhimit të pronës së shtetit lënë shumë për të dëshiruar.

Denoncimi i qytetares:

Pershendetje JOQ, Dua të ndaj me ju një shqetësim, dhe gjykojeni vetë nëse ia vlen të publikohet apo jo. *********** Shtëpia e Pushimit Kavalishencë (Plepa, Durrës): Pagesë për qëndruar mbi rërë dhe nën hijen e pemëve

Nëse deri dje na bënin për të qeshur batutat se një ditë do të na duhet të paguajmë për diellin, rërën dhe të ndenjurit poshtë hijes së pemëve, kjo gjë është bërë sot realitet nga Shtëpia e Pushimit Kavalishencë (Plepa, Durrës), një pronë publike e administruar nga Ministria e Brendshme. Deri dje, ky vend pushimi ishte kryesisht për familjet e punonjësve të kësaj ministrie. Tani, ai është kthyer në një biznes të mirëfilltë privat, ku mund të gjesh edhe turistë nga Polonia dhe Ukraina.

Dje, bashkë me tim shoq dhe dy fëmijët patëm “fatin” të vërenim disa ndryshime të reja në administrimin e këtij vende. Vendet me çadër dhe shezllon ishin të gjitha të zëna që në orën 8 të mengjesit. E megjithatë, ndryshe nga vitet e kaluara, policët në hyrje të ambientit vazhdonin të fusnin njerëz brenda duke i konfirmuar që kishte vende të lira. Të zhgënyer nga mungesa e shezllonave të lira, shumë pushuesve zgjodhën të pushonin poshtë hijes së bredhave.

Këtu vjen surpriza: për herë të parë, duhej të paguanim edhe për të qëndruar poshtë hijes së pemëve. Madje, edhe nëse vendosje peshqirin në rërë pranë detit, pa marrë asnjë shërbim shtesë, duhej të paguaje. Për të qëndruar poshtë hijes së bredhit ose në rërë, ku të piqte dielli, dhe pa mundur të qëndroje më shumë se 1 orë, kërkohej pagesa prej 100 lekësh për familje “Rregulli” i ri, sipas zëvendës drejtorit të shtëpisë së pushimit, ishte që çdo person duhej të paguante 100 lekë, por punonjësi i kishte bërë një nder pushuesve (ose ndoshta nuk kishte bërë punën e tij siç “duhej”) duke faturuar vetëm 100 lekë për familje. Të gjithë paguan, edhe pse me një buzëqeshje ironike për këtë rregull të pazakontë që nuk ka ekzistuar kurrë më parë.

Mungesa e transparencës dhe mënyra e dobët e menaxhimit lënë shumë vend për dyshime për abuzim. E megjithatë, në mungesë të shtetit, çdokush është i lirë të bëjë ç’të dojë dhe të përfitojë sa të mundet me pronën e shtetit.

Më poshtë disa foto të faturës dhe vendit ku pushuam poshtë pishave.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit