Tash është sezon dasmash. Dikush më të thjeshtë e dikush më luksoze, por askush nuk e lë pa krijuar shpenzime.
Por, a fiton shteti prej këtij fenomeni, që për një pjesë të mirë të pjesëmarrëseve në të që ofrojnë shërbime e produkte, është veç biznes.
Pra kush duhet të paguaj tatime? Kush e sa duhet të deklaroi në shtet? A ka nevojë për kontrata?
Elvira Ibrahimi, një kontabiliste e njohur ka treguar se kush i detyrohet shtetit në biznesin e dasmave.
“Fillimisht duhet kontrolluar se a është i fiskalizuar restauranti, a ka kontratë me të zotin e dasmës, për sa persona dhe sa e kanë kontraktuar menynë. Restauranti duhet të lëshoj kupon fiskal kur te pranon paranë nga i zoti i dasmës, po ashtu ishte dashur me e deklaru për qëllime të TVSH-së edhe pranimin e kaparit, ose paradhënies, në atë periudhë që e ka pranuar”, thotë ajo
Pashmangshëm edhe kur të “kërcet” bakshishi- edhe aty një pjesë e tij duhet të ndahet me shtetin. Pra, sipas saj, bakshishi i këngëtarëve nuk duhet të përfundoi i plotë në xhepat e tyre, por një pjesë të deponohet në arkën e shtetit.
“Me u deklaru duhet edhe BAKSHISHI. Edhe kjo është një e hyrë për këngëtarin, për të cilin në fund të dasmës duhet me leshu kupon fiskal normal, pasi që të kryhet ajo dhe të numërohet se sa i ka fituar bakshish”, thotë ajo dhe shton se duhet të kihet kujdes pasi që ATK-ja mund të ruaj fotografi dhe video “dhe ti përdor ato për qëllime ri-vlerësimi të tatimit”.
Ajo tutje tregon që kontratë në rast dasme duhet të bëhet edhe me komponentët tjera të këtij organizimi siç është zërimi, ata që e incizojnë dasmën, pjesëtarët e bendit të këngëtarit- madje edhe me kompaninë që e dekoron ambientin. Krejt këta duhet të lëshojnë kupon fiskal për të zotin e dasmës.