Mister vdekja e biznesmenit në Sarandë, shpërthimi aksidental apo i qëllimshëm?

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26.06.2024, 11:53

Vdekja e 52-vjeçarit Armandi Nelaj në Sarandë vijon të jetë e mistershme pasi rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta.

Ditën e sotme, policia ka dalë me një njoftim zyrtar për këtë ngjarje dhe dyshimet janë se Nelaj ka humbur jetën si pasojë e një shpërthimi, ndërkohë që notonte në det, pranë gomones së tij.

Por policia ende nuk ka arritur të zbulojë si ka ndodhur ky shpërthim, nëse ka qenë aksidentale shpërthimi i bombolës së oksigjenit apo kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale dhe shpërthim me lëndë plasëse.

Viktima i veshur si palombar, ishte zhytur 100 metër larg Portit Detar në momentin që ndodhi shpërthimi. Në këtë moment, dy turistë që po lundronin me gomone kanë parë trupin e gjymtuar të 52-vjeçarit dhe e kanë nxjerrë në breg. Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Sarandës, por ka ndërruar jetë pak çaste më vonë.

Prej më shumë se 20 orësh trupi i viktimës ka qëndruar në morg i paidentifikuar. Por kur vëllai i tij ka shkuar në Komisariatin e Policisë Sarandës për të denoncuar zhdukjen e 52-vjeçarit, oficerët i kanë treguar foton e viktimës së gjymtuar dhe ai e ka njohur të vëllain nga tatuazhi në qafë.

Gjatë kërkimeve në gjirin e Sarandës, polumbarët e RENEA-s kanë gjetur materiale të cilat hapin pistën e shpërthimit të një lëndë plasëse dhe janë dërguar për ekspertizë në Tiranë.

Prej 13 vitesh Nelaj ishte biznesmen dhe kishte një kompani që merrej me makineritë e rënda të ndërtimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit