Gerald Shehu është 43-vjeçari nga Tepelena që mesnatën e 6 qershorit vrau punëtorin e tij, Erald Nevruzi, recepsionist në hotel "Greccia" në Dhërmi.
Sipas informacioneve të deritanishme, Shehu i cili është dhëndri i pronares së hotelit, në mesnatë ka thirrur Nevruzin për t'u sqaruar për një konflikt që kanë patur dhe në debat e sipër e ka qëlluar dy herë duke i marrë jetën në vend.
Edhe pse policia nuk ka ende një version zyrtar për shkaqet e ngjarjes, JOQ ALBANIA ka siguruar informacione ekskluzive për këtë krim të ndodhur në nisjen e sezonit turistik.
Sipas burimeve, 43-vjeçari Gerald Shehu i cili jetonte në Angli dhe kishte nënshtetësi angleze e ka njohur në Angli Eraldon, recepsionistin që i mori jetën. Por në Shqipëri ata silleshin sikur nuk njiheshin dhe kjo ndoshta është aryseja pse babai i Eraldos nuk ishte në dijeni të këtij fakti pasi në një intervistë televizive ai ka deklaruar se djali i tij nuk kishte asnjë lloj njohje me vrasësin.
Nga ana tjetër, 43-vjeçari Gerald Shehu rezulton të jetë i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) si “person fizik”, me objekt të aktivitetit “bar-restorant, plazh privat”, me emrin tregtar “Greccia Hotel”. Ai rezulton të jetë pronar i plazhit privat dhe bar-restorantit “Greccia”, të cilat janë në funksion të hotel “Greccia”, i cili është në pronësi të vjehrrës së tij, Gentjana (Greta) Nino.

Kjo e fundit pas kthimit nga Anglia ku ka qenë sekretare në Ambasadën Shqiptare, në vitin 2017, nën emrin “Gentjana Nino” ka hapur një biznes për dhënien me qira të dhomave dhe në fillim ka pasur 5 dhoma. Por me kalimin e viteve ajo ka ndryshuar emrin e biznesit në “Hotel Greccia” dhe, sipas të dhënave të vetëdeklaruara, aktualisht ka në dispozicion 24 dhoma.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Mirvjen Haxhialiu i cili ka ndryshuar mbiemrin duke marrë mbiemrin e gruas, Nino, rezulton tip problematik dhe mashtrues pasi në shkurt të këtij viti është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës pasi kishte mashtruar një qytetar se do t’i siguronte letra angleze të vëllait të tij.
Nino u arrestua për akuzat e “Falsifikimit të dokumenteve”, “Mashtrimit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijëve” me urdhër ndalimi nga prokurori Bledar Valikaj, teksa u administruan edhe disa kallëzime të qytetarëve të mashtruar. Ai i bindte qytetarët për skemën e mashtrimin duke iu thënë se kishte një pasuri të paluajtshme prej 10 milionë Eurosh dhe se 30 mijë eurot e marra për letrat do ua kthente nëse nuk iu siguronte dokumentet. Ai premtonte se me anë të martesave me vajza me letra britanike dhe lidhjeve të vajzës dhe gruas së tij në Angli, do të siguronte letrat për qytetarët.
Hetimet për zbardhjen e vrasjes së recepsionistit Eraldo Nevruzi duket se do të shtrihen në disa drejtime pasi tani oficerët e Policisë Gjyqësore përveç shkaqeve të vrasjes kanë vendosur nën lupë edhe pasurinë e pronarëve të hotelit.