Shkëlqim Fusha “godet” përsëri dhe jo pak por plot 26 milionë euro me TVSH për vetëm 5200 metra linearë rrugë. Sikur të mos mjaftonin miliardat që ka përfituar rregullisht ndër vite nga pushteti vendor dhe ai qëndror, kompania FUSHA vazhdon të ushqehet përsëri me gjakun dhe djersën e shqiptarëve.

Bëhet fjalë për fazën nr. 8 të zgjerimit të rrugës Elbasan – Qafë-Thanë. Kjo sasi masive nga paratë e taksapaguesëve shqiptarë i është dhënë Fushës nga Autoriteti Rrugor Shqiptar i drejtuar nga Gentian Gjyli, nëpërmjet një tenderi me numër reference REF-99899-04-02-2024.

Objekti i tij është “Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafë- Thanë (Faza VIII)”. Sipas dokumentacionit të tenderit, kjo fazë e tetë konsiston në vetëm 5200 metra linearë. Fondi limit i tenderit është llogaritur në vlerën 2,499,999,994 lekë të reja pa TVSH ose gati 29.7 milionë euro përfshirë TVSH.

Nëse shfletojmë dokumentacionin e tenderit, shikohet se ka patur edhe oferta më të ulëta në vlerë sesa ajo e Fushës por ARRSH ka vendosur që fituese të shpallet kompania e Shkëlqim Fushës. Oferta e saj është 2,224,073,883 lekë të reja pa TVSH ose gati 26 milionë euro me TVSH.

Nga ana tjetër kjo vlerë rezulton tepër afër me vlerën e fondit limit të tenderit. Praktikisht është sa 89% e tij, duke ngjallur dyshime se fituesi ka qenë i paracaktuar. Sido që të jetë, fakt është se FUSHA do të marrë rreth 26 milionë euro për 5200 metra linearë rrugë, pra gati 5 milionë euro për kilometër.