Pak ditë më parë, Federata Shqiptare e Futbollit dhe ajo e Serbisë dorëzuan në UEFA kërkesën e përbashkët për të organizuar finalet e Euro 2027 për moshat U-21.
Por, ky bashkëpunim i cili thuhet se vjen për shkak se nuk plotësohen kushtet sa i përket numrit të stadiumeve që kërkohen për të gjitha ndeshjet finale të Kampionatit Europian U-21, nuk është pritur aspak mirë nga tifozët e jo vetëm.
Tifozat Kuq e Zi që janë edhe tifogrupi më i madh në vend, kundërshtojnë me forcë organizimin e këtij eventi në bashkëpunim me Serbinë.
Ditën e sotme, në mënyrë simbolike ata kanë protestuar para zyrave të FSHF-së duke derdhur bojë të kuqe dhe duke ngjitur në portë foto të gjenocidit serb në Kosovë por edhe incidenteve të tjera me shqiptarët të ndodhura gjatë historisë.
Tifozët thonë se një bashkëpunim i tillë synon rregullimin e imazhit të serbëve, prandaj e kundërshtojnë me forcë. Sipas tyre, çdo bashkëpunim me vrasësit që shkaktuan me qindra masakra ndaj shqiptarëve dhe që deportuan me miliona nga shtëpitë e tyre gjatë gjithë historisë, duhet kundërshtuar.