Këtë të martë kanë marrë fund kërkimet për gjetjen e 39-vjeçares Alma Arrazi dhe 3 fëmijëve të saj që rezultonin të zhdukur që prej datës 2 maj.
3 fëmijët e mitur dhe nëna e tyre u gjetën të pajetë në ujërat e lumit Buna në një distancë prej 14 kilometrash.
Vajza e madhe e familjes Arrazi, Ergesa Arrazi u gjet në anë të lumit Buna në fshatin Darragjat mbrëmjen e 4 majit rreth orës 22:00. Ditën e djeshme, në Dajlan, pranë urës së lumit Buna u gjet trupi i pajetë i vajzës së dytë, Gresi Arrazi 6-vjeçe. Ndërkohë që sot, peshkatarët e zonës dhe polumbarët e forcave RENEA kanë gjetur në fshatin Zues trupin e pajetë të 3-vjeçarit Ardit Arrazi dhe në fshatin Pentar të njësisë administrative Dajç, në kufi me Malin e Zi është gjetur trupi i nënës 39-vjeçare.
Për shkak të rrjedhës së lumit trupat janë shpërndarë në një distancë prej 14 kilometrash dhe për këtë aryse gjetja e tyre ka qenë e vështirë.
E gjithë ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur mbrëmjen e 2 majit, pasi Alma është takuar me kunatën në një prej lokaleve në zonën e urës së lumit Buna. Rreth orës 20:00 ajo është ndarë nga kunata dhe që prej atij momenti, familjarët kanë humbur çdo kontakt me të. Por gjetja e trupit të pajetë të vajzës më datë 4 maj ka sjellë edhe zbardhjen e ngjarjes tragjike dhe rrethanave të saj.
Për këtë ngjarje, që ka tronditur mbarë opinionin publik, policia ka lënë në burg 31-vjeçarin Erdgys Arrazi i cili akuzohet për veprën penale "shkaktim vetëvrasje". Prokuroria ka dyshime se dhuna psikologjike dhe tradhtia bashkëshortore e kanë shtyrë nënën e 3 fëmijëve drejt një akti të tillë.
