Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 60-vjeçarin Rexhep Gjuni dhe kunatin e tij Arben Selaj pasi asnjëri prej tyre nuk ka treguar ku ndodhet nipi 3-vjeçar i zhdukur prej 7 ditësh.
Ata kanë kyçur gojën para trupit gjykues duke mos dhënë asnjë detaj për zhdukjen e 3-vjeçarit i cili mendohet se është me gjyshen e tij, Bahrije Gjuni, e shpallur në kërkim bashkë me vëllain e saj.
Në fund të seancës gjyqësore, avokatja e familjes tha se hetimet për gjetjen e 3-vjeçarit vijojnë, por asnjë detaj nuk mund të jepet pasi fëmija është i mitur.
“U mbyll seanca për caktimin e masës së sigurimit. Është marrë në vendim. Në kushtet kur kemi të bëjmë me një të mitur, nuk mund të thuhet asgjë sepse është sekret hetimor. Tani do vazhdojë prokuroria hetimet. Është vendos ajo që ishte “Arrest me burg” nuk ka ndryshuar asgjë. Nuk mund të thuhet asgjë më shumë se kaq”.
Deri më tani mësohet se janë kontrolluar 15 banesa në zonën e Krumës ku mendohej se mund të strehohej gjyshja me nipin, por pa sukses.
Ka dyshime se ajo mund të jetë larguar jashtë shtetit bashkë me nipin i cili pas vdekjes së babait jetonte me nënën e tij në Durrës.
Por ky vendim i nënës së tij duket se është bërë shkak për lindjen e problemeve me vjehrrin dhe vjehrrën, të cilët kanë ndërmarrë edhe vendimin për rrëmbimin e tij.