Një 60-vjeçar është arrestuar nga policia e Korçës pasi ka kontrabanduar bagëti të imëta nga Maqedonia e Veriut.
I moshuari është arrestuar në rrugën “Goricë-Zvezdë”, në afërsi të fshatit Zvezdë, duke transportuar me kamionçinë, 28 krerë bagëti të imëta (dhi) pa dokumentacionin përkatës.
Për këtë, super aksion të reklamuar edhe në rrjetet sociale, policia ka arrestuar 60-vjeçarin me iniciale D.XH si dhe i ka sekuestruar bagëtitë, mjetin me të cilin po udhëtonte si dhe një shumë parash.
Shpresojmë që pas këtij operacioni, policia të ndalojë dhe arrestojë edhe kontrabanduesit/trafikantët e lëndëve narkotike që vijojnë aktivitetin e tyre të paligjshëm pa u vënë re fare nga doganierët.
Njoftimi i policisë Korçë:
Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar "Sundimi i ligjit". Finalizohet operacioni policor i koduar “Përsëritësi”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.
Kontrabandoi nga Maqedonia e Veriut, bagëti të imëta, me qëllim shitjen e tyre në Shqipëri, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 60-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal në këtë fushë. Sekuestrohen 28 krerë bagëti të pamatrikulluara, automjeti kamionçinë me të cilin transportoheshin dhe një shumë parash.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kontrabandës me mallra, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Korçë-Elbasan, finalizuan operacionin policor të koduar “Përsëritësi”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi D. Xh., 60 vjeç, banues në fshatin Belorta, Korçë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e kontrabandës.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas do të kontrabandonte bagëti të imëta, nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri, u organizua puna me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e tij. Shërbimet e Policisë kapën në rrugën “Goricë-Zvezdë”, në afërsi të fshatit Zvezdë, Maliq, shtetasin D. Xh., duke transportuar me kamionçinë, 28 krerë bagëti të imëta (dhi), të pamatrikulluara, pa dokumentacionin përkatës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan bagëtitë, së bashku me mjetin që shërbente për transportimin e tyre, si dhe një shumë parash. Vijon puna për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.