Aksidenti me 8 viktima, identifikohet shoferi që transportonte emigrantët

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 02.04.2024, 14:27

Është identifikuar drejtuesi i mjetit që transportonte emigrantë të paligjshëm dhe që u aksidentua mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet.

Edison Bregaj, me origjinë nga Shkodra, ishte duke transportuar disa emigrantë nga vendet e treta nga pika e kalimit kufitar Tre Urat, kur u aksidentua në aksin Këlcyrë-Përmet. Gjatë rrugës 24-vjeçari është përballur me një patrullë policie, por për të shpëtuar prej tyre është larguar me shpejtësi.

Por për shkak të kësaj shpejtësie, që mendohet se ka qenë 200 km/h dhe faktit se nuk e njihte mirë rrugën, ai ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka përfunduar anës lumit Vjosë. Makina e tij ka "fluturuar" rreth 500 metra nga rruga deri në breg të lumit ku ka përfunduar e shkatërruar.

Të gjithë emigrantët që po udhëtonin me këtë mjet bashkë me shoferin kanë humbur jetën. Autoritetet kanë nisur punën për identifikimin e shtetasve të huaj.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit paraparak të dhënë për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Këlcyrë-Përmet”, në afërsi të fshatit Kuqar, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas (drejtuesi i automjetit dhe 7 shtetas që dyshohet se janë nga Vendet e Treta), ju informojmë se nga verifikimet e kryera dyshohet se drejtuesi i këtij automjeti është shtetasi E. B., 24 vjeç, banues në Shkodër.

Gjithashtu, nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti tip "Benz" që drejtonte shtetasi E. B. është marrë me qira në qytetin e Shkodrës, nga shtetasi A. Gj., 26 vjeç. Policia e Shkodrës ka shoqëruar në Komisariat, shtetasin A. Gj., për ta marrë në pyetje për rastin.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit