Vitet e fundit, Shqipëria nuk po shihet më nga shtetasit e huaj thjesht si një vend turistik por edhe si vend për të jetuar e kaluar pensionin.
Shtetasit italianë, duke u ndjerë më të afërt me kulturën, ushqimet por edhe më të kënaqur me taksat e ulëta e çmimet e lira, janë ata që zgjedhin më tepër të jetojnë si rezidentë në Shqipëri.
E kështu ka vendosur të bëjë edhe çifti Antonio dhe Elena Pinas, të cilët aktualisht janë duke kërkuar një shtëpi për të jetuar mes Lezhës dhe Shëngjinit. Ata thonë se pensioni që marrin nuk iu mjafton në Itali, prandaj po mendojnë të jetojnë në Shqipëri.
“Është hera e parë që jemi këtu, për dy arsye e para sepse kemi arritur në një moshë që në Itali nuk jetohet më për shkak të kostos së lartë të jetesës, dhe pensioni qe marrin nuk mjafton. Po kërkojmë në Shqipëri një shtëpi sepse taksat janë më të ulëta dhe po bëjmë xhiro nëpër Shqipëri për të gjetur një vend për të jetuar. Më pëlqen shume vendi këtu, është pastër, ka rregull”, tha Elena Pinas, pensioniste nga Italia.
“Ushqimi është i ngjashëm me ushqimin në Itali, këto ditë kemi ngrënë mirë, sot kemi ngrënë shumë mirë që në Itali e ëndërrojmë një drekë si këtu në Shqipëri. Shpenzimet kryesore janë me çmime të ulëta, mund të bësh një pazar shumë të mirë. Pastaj njerëzit janë shumë mikpritës dhe të shoqërueshëm, të disponueshëm”, tha Antonio Pinas, pensionist nga Italia.
Mikëpritja e shqiptarëve është ajo që kanë vënë re dy pensionistët italianë sapo kanë shkelur në Shqipëri, prandaj duan që pensionin e tyre ta kalojnë këtu.
“Akoma nuk e kemi vendosur se ku do te jetojmë por që të jetë afër me bregdetin. Më pëlqen toka, më pëlqen fshati jam person qe dua të kem pak hapësirë kopsht kështu kalon dhe kohën. Mua më pëlqen ky qytet, ka pak nga Perugia ime, dhe ne jemi mikpritës me turistët dhe këtë e pashe dhe këtu. E kam vënë re këto ditë që kemi qëndruar, janë të gatshëm që të të ndihmojnë kam gjetur diçka si në Perugia”, tha Elena.
“Shqiptarët janë shumë të dashur, të gatshëm për të ndihmuar, se ne nuk e dimë dhe gjuhën por janë shumë të dashur, të ofrojnë direkt diçka për të pirë, kafe ndaj i falënderojmë shumë”, tha Antonio.
Sipas Ministrisë së Brendshme, deri në vitin 2023 rezultonte se 356 italianë janë rezidentë të përhershëm në vendin tonë, ndërsa më shumë se 20 mijë kanë leje qëndrimi që të punojnë dhe studiojnë në Shqipëri.