Të gjithë kanë ikur jashtë, cili është fati i bizneseve në Shqipëri?!

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.04.2024, 09:23

Që ekonomia e një shteti të funksionojë ashtu siç duhet, të gjitha hallkat e saj duhet të kenë një zhvillim sinkron e të qëndrueshëm.

Por në vendin tonë një prej hallkave kryesore të këtij zinxhiri, njerëzit, po dobësohet e shkëputet dita-ditës.

Janë njerëzit ata që kërkojnë punë e punojnë në këmbim të parave, janë njerëzit e punësuar në biznese e sipërmarrje ata që prodhojnë mallra e janë sërish njerëzit, konsumatorët, ata që i blejnë këto mallra e produkte.

Por kur njerëzit mungojnë kjo vihet re menjëherë te fuqia punëtore, zhvillimet teknologjike, mungesa e mirëqenies së vendit por edhe zhvillimit të qëndrueshëm për brezat që do të vijnë.

Nga viti në vit gjetja e fuqisë punëtore po bëhet një problem gjithnjë e më madhor në vendin tonë dhe emigrimi ka dhënë efekt të menjëhershëm në reduktimin e forcës së disponueshme për punë, sidomos tek të rinjtë.

Në fillim, punësimi i të hujave u pa si zgjidhje, por koha e tregoi se rezultati nuk ishte ai që pritej. Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) bënë të ditur se deri në fund të vitit 2023, në vend kishte rreth 10 mijë të huaj që kishin marrë leje pune.

Kjo shifër nuk është as sa 2% e totalit të forcës së punës, e punësuar në sektorin privat jobujqësor.

Bizneset nuk u dorëzuan, kërkuan zgjidhje të tjera dhe u ndalën te rritja e rrogave. Por edhe kjo zgjidhje nuk u shoqërua me shtimin e produktivitetit, por më shumë me gërryerjen e fitimeve.

Sipërmarrësit pohojnë se kjo situatë po ul fitimet investuese të kompanive për rinovim teknologjie dhe shtimin e linjave të prodhimit.

E kur kompanitë vendase nuk mund ta përballojnë shtimin e pagave për mbajtjen e fuqisë punëtore, pasi fitimet e tyre po gërryen, importi me kosto më të lirë favorizohet por duke goditur më tej prodhimin vendas. Sipërmarrësit vendas parashikojnë shtime të falimenteve, pasi shumë biznese nuk do të jenë në gjendje të konkurrojnë në treg nga mungesa e investimeve, për shkak të rënies së fitimeve.

Edhe turizmi që këto dy vitet e fundit ka parë një hov të madh, është në telashe pasi mungon fuqia punëtore.

Sipërmarrësit nē sektorin e turizmit janë të trembur pasi për shkak të mungesës së fuqisë punëtore nuk do të arrijnë t’i përgjigjen fluksit dhe mund të ulin cilësinë e shërbimit.

Dhe për sa kohë shteti nuk do ndërhyjë në rregullimin e këtij ngërçi me të cilin përballet ekonomia, bizneset do të duhet të rrisin nivelin e përdorimit të teknologjisë e mjeteve automatike, për të reduktuar apo për të eliminuar disa hallka të punës së krahut, në mënyrë që punonjësit të angazhohen për të kryer funksione më të kualifikuara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit