Turistja kroate rrëzohet nga Maja e Jezercës dhe humb jetën, grupi i saj mbetet i bllokuar

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 30.03.2024, 16:07

Një turiste kroate ka humbur jetën në Majën e Jezercës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e sotme kur një grup turistësh nga Kroacia janë ngjitur nga territori i Malit të Zi, për të mbërritur në vendin e quajtur “Maja e Jezerces”.

Por për shkak të terrenit të vështirë e të thepisur, 43-vjeçarja kroate është rrëzuar dhe ka humbur jetën.

Trupi i saj është nxjerrë me helikopter nga vendi ku është rrëzuar dhe tani po transportohet për në morg.

Ndërkohë grupet e shpëtimit po punojnë për nxjerrjen e turistëve të tjerë, nga vendi ku janë bllokuar.

Njoftimi i policisë:

Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim nga një grup aplinistësh, që mendohet të jenë shtetas kroatë, të cilët janë ngjitur nga territori i Malit të Zi, për të mbërritur në vendin e quajtur “Maja e Jezerces”, se njëra nga anëtaret e grupit kishte rënë nga një terren i thepisur malor dhe me borë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës dhe ekipin e kërkim-shpëtimit, janë nisur bashkë me helikopterin e Emergjencave Civile, drejt adresës së dhënë.

Pas disa orësh kërkime nga shërbimet e Policisë, turistët u lokalizuan në vendin e quajtur “Maja e Jezerces”.

Turistja kroate, shtetasja 43 vjeçe, për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rrëshqitur nga një lartësi dhe për pasojë kishte humbur jetën.

Nga ekipi i kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë dhe do transportohet me helikopter, drejt morgut.

Vijon operacioni i shpëtimit, mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, për të bërë të mundur nxjerrjen e turistëve të tjerë, nga vendi ku janë bllokuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit