Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur të enjten më 28 mars, gjatë një meshe në kishën Sainte-Eulalie, në Montpellier, Francë.
Një 33-vjeçar shqiptar ka hyrë papritmas në kishë duke bërtitur "Allah Akbar" disa herë.
Ky incident ngjalli një reagim të fortë mes priftit dhe besimtarëve të pranishëm dhe menjëherë u njoftua policia. Ndërkohë shqiptari i paarmatosur u largua me shpejtësi pa shkaktuar asnjë shqetësim apo dëmtim.
Ai u pikas nga kamerat e vëzhgimit të qytetit dhe u ndalua nga policia pa kundërshtime në stacionin e tramvajit Albert-1er, Quai des Tanneurs, pranë kishës Saint-Charles.
Shqiptari pa dokumente në Francë, gjatë marrjes në pyetje në paraburgim ka pretenduar se ka bërë “një shaka nën ndikimin e alkoolit dhe disa medikamenteve”.
Mbetet për t'u parë nëse ai do të dalë para drejtësisë së shpejti apo do të vendoset në një qendër ndalimi administrativ me synimin për dëbimin e tij nga territori francez.