Merret peng 68-vjeçari në Elbasan, një burrë dhe një grua e mbajtën me forcë në makinë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.03.2024, 09:14

Një 68-vjeçar në Elbasan është marrë peng dhe kërcënuar me qëllim dhënien e një shume parash.

Ka qenë vetë 68-vjeçari ai që ka denoncuar ngjarjen në polici dhe ka treguar rrethanat e saj. Pas dëshmisë së tij, policia ka arrestuar dy pengmarrësit, 57-vjeçarin Resmi Karaj dhe 47-vjeçaren Pranvera Sefa,

Të dy këta shtetas kanë mbajtur për disa minuta në makinë 68-vjeçarin dhe e kanë kërcënuar duke i kërkuar para. Pas arrestimit të tyre, policia ka sekuestruar mjetin ku u mbajt peng 68-vjeçari dhe 3 celularë.

Njoftimi i policisë Elbasan:

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, finalizohet operacioni policor i koduar “Përfitimi”. I hoqën lirinë një 68-vjeçari dhe e kanosën për t’i marrë një shumë parash, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen automjeti ku u mbajt 68-vjeçari dhe 3 celularë.

Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi 68 vjeç, se për motive të dobëta, 2 shtetas i kishin hequr lirinë, duke e mbajtur për disa minuta, kundër vullnetit të tij, në një automjet, si dhe se ishte kanosur me qëllim dhënien e një shume parash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan organizuan punën për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësise penale të 2 autorëve. Si rezultat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Përfitimi”, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga autorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit R. K., 57 vjeç, banues në Peqin dhe P. S., 47 vjeçe, banuese në Belsh.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti ku u mbajt 68-vjeçari dhe 3 celularë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit