“Show” i policisë/ Përdorin “aktorë” dhe makina të sekuestruara për super-aksionet

Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 27.03.2024, 16:09

Në datë 5 Mars, Policia e Shtetit ka publikuar në rrjetin social Facebook, një video ku dy të rinj arrestohen, pasi janë kapur me fara kanabisi. Siç shihet nga pamjet ata janë kapur, pasi kishte fara në automjetin tip “Opel” në Vaun e Dejës. Pas arrestimit, sipas burimeve për JOQ, ky mjet u sekuestrua me urdhër të Prokurorisë.

Mirëpo, edhe ditën e djeshme, policia publikoi një video, ku sërish një i ri ishte kapur me fara kanabisi, po në Vaun e Dejës dhe e çuditshmja ishte se ai u nxorr me forcë nga e njëjta makinë e të arrestuarve në datë 5 dhe kjo duket fare qartë nga detajet brenda makinës, kabëlli i kuq, mbulesa e marshit e rrjepur dhe sediljet.

Në një komunikim me vëllain e një prej personave të arrestuar në datë 5 Mars, pronar i mjetit të sekuestruar, na është thënë se ky automjet është sekuestruar nga prokuroria dhe është e pamundur që të përdorej nga persona të tjerë. Kurrsesi mjeti nuk do përdorej për shpërndarjen e farave të kanabisit, 20 ditë më vonë, pasi ligjërisht dhe praktikisht ishte i sekuestruar.

Pra automjeti tip "Opel" është përdorur nga policia për xhirimet e aksionit, ndërsa i arrestuari i datës 26 është përdorur si aktor dhe kështu është kryer arrestimi.

Thënë shkurt, Policia e Shtetit, ka përdorur një makinë të sekuestruar, të cilën e ka nxjerrë më herët me pamje filmike, një trafikant "aktor" dhe kanë luajtur filmin e një super-aksioni policor antidrogë, fiks për konkurrim në Oscar.

Pyetjet që i ngremë Policisë së Shtetit janë: Kush e hoqi nga sekuestro makinën e kapur më 5 Mars? A u përdor i arrestuari i datës 26 Mars si aktor për xhirimin e superaksionit të supozuar?!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit