Të braktisur nga shteti, prindërit e peshkatarit të mbytur paguajnë holandezë për gjetjen e trupit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.03.2024, 15:15

Polumbarët e RENEA-s kanë ndërprerë kërkimet për gjetjen e trupit të 40-vjeçarit Aurel Ndoni, që u mbyt pasditen e 25 shkurtit në Porto Romano, Durrës.

40-vjeçari ishte duke peshkuar me vëllain dhe një person tjetër, kur rrëshqiti nga gurët dhe ra në det. Por atë ditë deti ishte i trazuar dhe trupi i tij u zhduk menjëherë. Policia Kufitare, ajo e Durrësit dhe polumbarët e RENEA-s nisën kërkimet për disa ditë, por i ndërprenë ato pas një kohe të shkurtër.

Tani, familjarët të zhgënjyer nga shteti dhe të braktisur prej tyre, kanë nisur kërkimet private për gjetjen e trupit të tij. Mësohet se ata kanë paguar një anije holandeze për të eksploruar zonën e Porto Romanos dhe gjetjen e trupit të 40-vjeçarit. Ata i bëjnë thirrje shtetit shqiptar që t'i ndihmojë me polumbarë të specializuar për kërkimet në thellësi, pasi vetë nuk munden.

Prej një muaji tanimë, ata nuk i kanë ndërprerë për asnjë moment kërkimet për gjetjen e tij. Në ditën e tretë të kërkimeve, ata kanë gjetur vetëm një prej çizmeve që ai mbante veshur ditën e mbytjes.

Familjarët kanë kontrolluar vijën bregdetare nga Shkodra në Kavajë, por pa asnjë rezultat.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit