Denisa Halilaj, ish-efektivja e Policisë së Burgjeve, që një ditë më parë u arrestua me grupin kriminal që transportonte armë, ka mohuar përfshirjen në këtë grup.
22-vjeçarja me origjinë nga Malësia e Madhe ka deklaruar para hetuesve se nuk ka pasur dijeni se në makinën "BMW" ka pasur 4 automatikë dhe 5 pushkë.
Sipas saj, 4 djemtë e arrestuar bashkë me të, Denis Hasaj, Marjan Hasaj, Redi Nika dhe Sabian Hasaj, i kishin thënë se do shoqëronin disa persona në Tiranë, por jo se kishin armë me vete. Ajo ka pranuar se gjatë gjithë rrugës, nga Malësia e Madhe e deri në Tiranë, ka patur rolin e vëzhgueses dhe hapjes së rrugës, me qëllim mbërritjen pa probleme.
Ndërkohë që katër të rinjtë kanë kyçur gojën para hetuesve, duke mos treguar asnjë detaj për shitjen e armëve, përfshirë këtu edhe emrat e personave ku do të shiteshin në Tiranë.
Për të zbardhur më shumë detaje rreth këtij grupi kriminal, hetuesit janë duke kqyrur në mënyrë të detajuar celularët e tyre. 9 armët e sekuestruara, tip automatikë dhe pushkë, rezultojnë të jenë të vitit 1997, të magazinuara që në atë kohë, por aktive dhe në përdorim.