Nga 5 prilli, çmimi i ujit për familjarët e 3 bashkive do rritet me 12-50%

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.03.2024, 08:43

Duke filluar nga data 5 prill 2024, tre bashki që furnizohen me ujë nga Ndërmarrja e Ujësjellësit të Lezhës do të kenë çmime më të rritura për furnizimin me ujë të familjarëve.

Me vendim të Entit Rregullator të Ujit (ERRU), publikuar edhe në Fletoren Zyrtare, çmimi i ujit për të gjitha njësitë që bëjnë pjesë në këtë ndërmarrje të jetë i rishikuar dhe të mbetet në fuqi deri në fund të vitit 2025.

Kështu për qytetarët e Lezhës që aktualisht paguajnë 58 lekë/m3 për ujin, ERRU ka vendosur që çmimi i ri të jetë 65 lekë/m3 pra gati 12% më shumë. Kjo rritje çmimi do aplikohet vetëm për familjarët pasi për insitucionet publike dhe bizneset ERRU ka lënë në fuqi tarifat ekzistuese prej 135 lekë/m3 dhe 145 lekë /m3.

Edhe familjet e Kurbinit do përballen me rritje çmimi pasi nga data 5 prill çdo m3 ujë do ta paguajnë 45 lekë. Tarifa aktuale në fakt është 30 lekë/m3 për familjarët çka tregon se rritja është thuajse me 50 për qind. Sërish edhe në këtë bashki ERRU ka lënë në fuqi tarifat aktuale prej 80 dhe 120 lekë/m3 për bizneset dhe institucionet.

Edhe për bashkinë Mirditë, ku përfshihen Rubiku dhe Rrësheni, ERRU ka vendosur që familjarët të paguajnë çdo metër kub ujë me një tarifë 45 lekë teksa tarifa aktuale është 30 lekë, pra 50 për qind më shumë.

Ndërkohë që në të gjitha këto bashki do ketë rritje çmimi edhe për shërbimin e kanalizimeve të ujërave të ndotura.

Konkretisht për Lezhën për familjarët tarifa bëhet 19 lekë/m3 ujë nga 18 që është aktualisht, për bizneset 29 lekë dhe për insitucionet 25 lekë teksa më herët për këta dy të fundit ishte 27 lekë dhe 22 lekë.

Për Kurbinin, Rubikun dhe Rrëshenin tarifat e miratuara janë 15 lekë m3 për familjarët dhe 25 lekë për bizneset dhe insitucionet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit