Një sherr mes disa të miturve ka ndodhur gjatë mesnatës në Berat.
Dy vëllezër dhe një shok i tyre, të gjithë 16-vjeçarë kanë rrahur me grushte, shkelma e karrige një 17-vjeçar, kamarier në një piceri në qendër të qytetit. Nga informacionet e deritanishme bëhet e ditur se sherri mes të miturve ka nisur në rrjetet sociale dhe më pas 16-vjeçarët kanë shkuar në vendin ku punonte i riu kamarier.
Ata e kanë rrahur 17-vjeçarin duke i shkaktuar plagë të shumta në trup. Policia ka shoqëruar 12 shtetas, mes tyre 3 autorët, menaxherin e biznesit dhe disa klientë që u pyeten për konfliktin.
Pas marrjes në pyetje policia mbajti në qeli 16-vjeçarët, ndërkohë që për zbardhjen e ngjarjes janë sekuestruar kamerat e sigurisë të biznesit ku ndodhi sherri.