I diplomuari i parë i verbër në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Parmës është një shqiptar.
23-vjeçari Kledian Leka, me banim në Casalmaggiore (Kremone), në përfundim të kursit trevjeçar kaloi shkëlqyeshëm testin me një tezë të titulluar "Edukimi i Shkencave Kompjuterike. Strategjitë dhe mjetet për akses gjithëpërfshirës për nxënësit me dëmtime shikimi".
Shqiptari tha se teza e tij synon të jetë një ndihmë e madhe për fëmijët me probleme me shikimin. Ai tha se ka punuar për këtë tezë që të gjitha dokumentet tradicionale të jenë të lexueshme edhe për të verbërit.
"Teza ime mund të jetë një manual për të ndihmuar fëmijët me dëmtime të plota ose të pjesshme të shikimit. Nuk kishte materiale mësimore për nxënësit e verbër, kështu që u nisa për të përkthyer dhe konvertuar të gjitha dokumentet tradicionale mbi të cilat ata studionin në braille, në mënyrë që ato të ishin edhe të lexueshme për ne të verbërit”.
Klediani, si një pionier i vërtetë, u dha një pyetësor nxënësve të tjerë të verbër, në të cilin u kërkonte të tregonin propozimet dhe mbi të gjitha pengesat për të kapërcyer. Përmbledhja e përgjigjeve u përfshi në tezë. Gjatë rrugës ai takoi kolegë studentë, të cilët pas disa muajsh vendosën të largoheshin të dekurajuar nga vështirësitë dhe tani, falë angazhimit të tij, kanë shpresa më konkrete për të ecur përpara.
"Nga sot, Universiteti i Parmës, dhe ndoshta universitete të tjera, do të kenë një pikënisje me të cilën do të krahasohen dhe nga e cila do të marrin frymëzim për të përmirësuar aksesin."
Kledian, i cili në moshën 11-vjeçare humbi shikimin pas një aksidenti, tani është programues i një kompanie shumëkombëshe.
“Vazhdova të punoja, nga ora 08:00 deri në 13:00. Pastaj, nga ora 14:00 deri në 2:00 u angazhova për të studiuar. Nuk kam menduar kurrë të ndalem dhe të ndjej keqardhje për veten time dhe vendosa të luftoj për të realizuar të gjitha ëndrrat e mia ."
Shqiptari është diplomuar si ekspert IT me nota të larta dhe deri në vitin 2020 ka bashkëpunuar me Muzeun Bijou të Casalmaggiore për të krijuar itinerare për të verbërit. Ai është i regjistruar në regjistrin kombëtar të mësuesve të IT dhe është kualifikuar për të trajnuar atletë të verbër pasi ka ushtroi atletikën në nivel garues për dy vjet.