Pas një përplasje disa mujore në Kuvend, këtë të hënë Komisioni për Koncesionet në Shëndetësi nisi punën. Përgjatë 4 muajve, në këtë komision do hetohen dy koncesionet më të bujshme të shëndetësisë: Sterilizimi dhe Check-Up-i.
Por nisja e hetimeve për vetëm dy koncesione dhe pas kaq shumë kohësh nuk është rastësor.
Hetimi i koncesioneve ishte një domosdoshmëri e madhe për qeverinë dhe krijimin e opinionit publik se në Shqipëri nuk ka tendera abuzivë. Por për të arritur në këtë përfundim, pa kryer hetime të mirëfillta, qeveria vendosi të blejë heshtjen duke 'rregulluar marrëdhëniet' me deputetët e "Rithemelimit".
E në këtë "marrëveshje të heshtur", kemi një 'win-win', që do të thotë se të dyja palët dalin të fituara me koncesionet që mbështesin.
Së pari, Partia Socialiste prej kohësh mbron interesat e ish-ministrit Ilir Beqja për sterilizimin dhe ato të Vilma Nushit për Check Up-in. Ndërkohë që "Rithemelimi", tani është futur në lojë duke mbrojtur hapur dy koncesionet e fituara nga Klodian Allajbeu me vlerë prej rreth 28 milionë euro.
Koncesioni i dializës dhe ai i laboratorëve i kushtojnë shqiptarëve nga taksat e tyre përkatësisht 9 milionë euro në vit dhe 19 milionë euro në vit, pra në total rreth 28 milionë euro në vit. Por që kur "Rithemelimi" dhe mazhoranca "nënshkruan marrëveshjen", këto koncesione u hoqën nga lista e hetimeve.
Preferenca të tilla për tendera miliona lekësh tregojnë se rezultatet e hetimeve do jenë sa për sy e faqe. Pavarësisht abuzimeve të kryera me këto tendera dhe të denoncuara vazhdimisht nga JOQ ALBANIA, ajo që do përfitojnë shqiptarët në fund të hetimeve është "një grusht hi syve" dhe analiza shumëfaqëshe, por pa asnjë rezultat konkret.